Transmetuar më 12-11-2026, 22:59

Nga deklaratat e mëparshme se Samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahej pa dyshim në Shqipëri gjatë vitit 2027, kryeministri Edi Rama ka kaluar në një qasje më të rezervuar, duke pranuar se ky afat është përjashtuar dhe se organizimi mbetet i kushtëzuar përtej kësaj periudhe.

Gjatë pjesëmarrjes së tij në takimin e Komunitetit Politik Evropian, kreu i qeverisë sqaroi se pavarësisht se Shqipëria projektohet si mikpritësja e ardhshme e këtij eventi, brenda strukturave të Aleancës ende nuk është arritur një dakordësi përfundimtare për kalendarin kohor.

“Shqipëria është projektuar si mikpritësja e ardhshme e Samitit të NATO-s. Çështja është se s’ka ende një qëndrim të përbashkët se kur do të mbahet. Me siguri, jo në 2027. Dhe në 2028, nëse do të ketë një Samit, do të mbahet në Tiranë,” u shpreh ai.

Ky ndryshim toni vjen disa muaj pas deklaratave të bëra gjatë verës, ku qeveria garantonte me bindje se takimi i radhës i liderëve të NATO-s do të zhvillohej në Tiranë, duke theksuar peshën dhe rëndësinë e shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë, mbetet për t’u parë se si do të finalizohen diskutimet zyrtare mes aleatëve për caktimin e datës së saktë të samitit të ardhshëm.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit