

Tiranë, 12 nëntor 2026 – Një denoncim i qytetares Salushe Mosja në emisionin investigativ “Fiks Fare” ka zbuluar një skandal të dyfishtë në fushën e stomatologjisë, duke nxjerrë në pah ushtrimin e profesionit pa licencë në një klinikë në Kamëz dhe akuza të rënda ndaj drejtuesve të Urdhrit të Stomatologut.
Qytetarja Salushe Mosja denoncoi se pas një ndërhyrjeje dentare të dështuar te mjekja Gentjana Shaholli Elezi, ku në vend të fasetave të premtuara përfundoi me proteza, mjekja kishte firmosur në vitin 2021 një akt noterial borxhi prej 4 milionë lekësh. Pavarësisht marrëveshjes dhe një vendimi gjykate në favor të qytetares, shuma nuk ishte shlyer, ndërsa denoncuesja ngriti alarmin se stomatologia vijonte punën në klinikën “Dentroom” në Kamëz pa licencë aktive.
E përballur me gazetarët e “Fiks Fare”, mjekja Gentjana Shaholli Elezi pranoi se kishte mbetur pa licencë, duke akuzuar ish-presidentin e Urdhrit të Stomatologut se i kishte kërkuar marrëdhënie seksuale në këmbim të dhënies së saj, ndërsa pretendoi se Urdhri aktual i kërkonte një shumë prej 32 milionë lekësh për rilicencim.
Nga ana e tij, përgjegjësi i licencimit pranë Urdhrit të Stomatologut konfirmoi zyrtarisht se Gentjana Shaholli Elezi nuk disponon licencë për ushtrimin e profesionit dhe aktualisht ndodhet ende në proces licencimi.
Pas interesimit të gazetarëve, mjekja kontaktoi menjëherë qytetaren Salushe Mosja dhe i ktheu shumën prej 4 milionë lekësh të vjetra të detyruar prej vitesh, duke justifikuar vonesën me humbjen e kontakteve, ndërkohë që çështja e ushtrimit të paligjshëm të profesionit mbetet në vëmendjen e institucioneve përgjegjëse.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






