Transmetuar më 12-11-2026, 21:16

Tiranë, 12 nëntor 2026 – Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin me disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ekzistues “Për sigurinë kibernetike”, duke parashikuar ngritjen e një mekanizmi të posaçëm për inteligjencën kibernetike, detyrime të reja për operatorët e infrastrukturave kritike, si dhe sanksione të rrepta financiare për shkelësit.

Sipas draftit të përcjellë për shqyrtim në Kuvend, do të krijohet grupi i bashkëpunimit për inteligjencën kibernetike, i cili do të kryesohet nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe do të përbëhet nga përfaqësues të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Ky strukturim i ri do të ketë si mision shkëmbimin e informacionit paralajmërues për kërcënimet kibernetike dhe vlerësimin e ndikimit të tyre në sigurinë kombëtare, ekonomi dhe shërbimet publike.

Ndryshimet ligjore u imponojnë operatorëve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme detyrimin për të vetëdeklaruar pranë Autoritetit masat e sigurisë, si dhe mënyrën, llojin dhe vendndodhjen e hostimit të sistemeve të tyre. Për mosdorëzim në afat të këtyre deklarimeve parashikohen gjoba nga 500 mijë deri në 2 milionë lekë, ndërsa për të dhëna të pasakta apo të paplota gjoba varion nga 200 mijë deri në 1 milion lekë.

Projektligji parashikon gjithashtu gjoba nga 500 mijë deri në 1 milion lekë për moszbatimin e masave të bllokimit apo neutralizimit të sulmeve kibernetike, si dhe detyrimin për përdorimin e produkteve dhe shërbimeve të teknologjisë së informacionit të certifikuara, kompetencë që i kalon Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

Paralelisht, do të ngrihen ekipe sektoriale për reagimin e menjëhershëm ndaj incidenteve kibernetike, ku operatorët do të jenë të detyruar të raportojnë çdo rast dhe të bashkëpunojnë për rikuperimin e sistemeve. Pas miratimit në Kuvend dhe botimit në Fletoren Zyrtare, ndryshimet ligjore pritet të hyjnë në fuqi 15 ditë më vonë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit