Transmetuar më 12-11-2026, 20:46

Tiranë, 12 nëntor 2026 – Edhe pse flitet për zhvillim ekonomik dhe rritje të të ardhurave, familjet shqiptare po përballen me pamundësinë për të blerë një banesë, madje as për të siguruar këstin fillestar të kërkuar nga bankat.

Ky realitet doli në pah gjatë prezantimit të projektligjit për strehimin social në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj. Ndërsa e cilësoi rritjen e të ardhurave si një mundësi për të zgjeruar mbështetjen shtetërore edhe për shtresat që nuk konsiderohen në nevojë por kërkojnë strehim të përballueshëm, ministrja pranoi mungesën e kursimeve te qytetarët.

“Duke mos pasur kursime, i bëhet e pamundur një familjeje shqiptare që të paguajë atë parapagimin që bankat kërkojnë për blerjen e një banese,” deklaroi Delina Ibrahimaj, duke prezantuar mekanizmat e garancisë shtetërore për ata që mund të shlyejnë këstet mujore, por nuk plotësojnë kushtet për parapagimin apo kolateralin.

Për të adresuar tregun e banesave, qeveria parashikon formulën e re 30-40-30 në projektet e ndërtimit: 30% do të dedikohen për strehimin social, 40% për strehimin e përballueshëm dhe 30% për tregun e lirë.

Ndonëse ministrja premtoi se nisma të tjera ligjore që do të sillen shpejt në Kuvend do të rrisin konkurrencën dhe do të reduktojnë çmimet e ndërtesave, gjatë diskutimeve nuk u dha asnjë afat konkret se kur do të nisin projektet e para apo se sa do të ulet realisht kostoja e banesave.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit