

Fujairah, 12 nëntor 2026 – Një aksident i rëndë rrugor me pasoja tragjike është regjistruar në emiratin e Fujairah-ut në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku 14 persona kanë humbur jetën dhe 30 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një përplasjeje zinxhir ku u përfshinë 18 automjete dhe pesë kamionë.
Sipas të dhënave të Policisë së Fujairah-ut, ngjarja ndodhi pak para mesnatës në rrugën “Sheikh Khalifa bin Zayed”, pranë hyrjes së emiratit, pasi drejtuesi i një kamioni humbi kontrollin e mjetit, u përplas me një veturë dhe më pas u përmbys duke goditur makinat e ndaluara në trafik. Goditja e fortë shkaktoi shpërthimin e flakëve në kamion, të cilat u përhapën me shpejtësi edhe në automjetet e tjera të përfshira në aksident.
Autoritetet vendase bënë të ditur se 15 prej të lënduarve kanë lënë spitalin pas marrjes së ndihmës së parë, ndërsa 15 të tjerë vijojnë trajtimin mjekësor. Mes viktimave ka edhe shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërkohë që për identifikimin e disa prej trupave të pajetë po përdoren analizat e ADN-së.
Ministria e Brendshme e Emirateve të Bashkuara Arabe njoftoi se grupet e specializuara të emergjencës dhe hetimit ndodhen në terren për të zbardhur shkaqet e plota të ngjarjes, duke u bërë thirrje qytetarëve të referohen vetëm te burimet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e informacioneve të pakonfirmuara në respekt të familjeve të viktimave.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






