

Tiranë, 12 nëntor 2026 – Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka paralajmëruar për reshje shiu me intensitet mesatar deri në shumë të lartë në disa qarqe të vendit, gjatë pasdites së sotme dhe ditës së premte, 13 nëntor.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë pasdites së 12 nëntorit reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht shumë intensive, të shoqëruara me shtrëngata, në qarqet Shkodër dhe Kukës.
Ndërsa të premten, reshje intensive deri lokalisht shumë intensive parashikohen në qarqet Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.
Autoritetet paralajmërojnë se për shkak të motit të paqëndrueshëm mund të ketë grumbullime të përkohshme të ujit në zona urbane. Në zonat malore, rreziku lidhet kryesisht me vërshimin e përrenjve dhe rrëshqitjet e dherave.
AKMC u ka kërkuar strukturave vendore të marrin masa parandaluese, të mbikëqyrin zonat problematike dhe të mbajnë në gatishmëri kapacitetet për ndërhyrje në rast emergjence.
Edhe qytetarëve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, veçanërisht në zonat me rrezik të shtuar, si dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për zhvillimet e motit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






