

TIRANË – Gjatë seancës gjyqësore të kësaj të enjteje, ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka lëshuar akuza të forta në drejtim të drejtësisë dhe ndërkombëtarëve, duke pretenduar se çështja ndaj tij është e motivuar politikisht.
Meta u shpreh se Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka vepruar nën ndikimin e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, dhe ish-ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim. Sipas tij, çdo veprim i deritanishëm i akuzës është shoqëruar me shkelje proceduriale.
Gjatë fjalës së tij, ish-kreu i shtetit u ndal te krizat institucionale të së kaluarës, duke zbuluar se gjatë mandatit të tij si President ishte kërcënuar nga diplomatë të huaj lidhur me emërimet në Gjykatë Kushtetuese.
"Jam kërcënuar si President i Republikës nga pesë përfaqësues të ambasadave të huaja që të mos dekretoja Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, por Arta Vorpsin," u shpreh Meta.
Sa i përket çështjes së lobimit, ish-presidenti deklaroi se është plotësisht i gatshëm të paraqitet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me shpenzimet e tij, nëse autoritetet amerikane gjejnë qoftë edhe një shkelje të vetme ligjore në veprimet e tij. Ai këmbënguli se çdo procedurë është kryer përmes bashkëshortes së tij dhe se kontratat përkatëse janë të detajuara dhe plotësisht të verifikueshme.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






