

DIBËR – Hetimet e Policisë dhe Prokurorisë së Dibrës për zbardhjen e vrasjes së 62-vjeçarit Urim Fiku kanë sjellë detaje të reja nga dosja penale, ku në pranga si të dyshuar për ngjarjen ndodhen bashkëshortja e tij, Sadete Fiku, dhe djali i tyre, Gazmir Fiku.
Sipas të dhënave hetimore, gjatë qëndrimit në ambientet e dhomës së shoqërimit, dy të arrestuarit janë vënë nën përgjim. Nga biseda e regjistruar, nëna i drejtohet të birit duke i kërkuar shpjegime se si përfunduan në këtë situatë, ndërsa Gazmir Fiku e ka prerë shkurt duke i thënë: “Mos fol tani, sqarohemi kur të dalim…”. Më pas, i riu i ka bërë me shenjë së ëmës se dhoma mund të jetë e përgjuar, duke shmangur bisedat e mëtejshme rreth krimit dhe duke shfaqur rezerva të theksuara përpara hetuesve.
Dyshimet për armët dhe dinamika e krimit
Grupi hetimor po vijon analizimin e provave materiale, duke pritur përgjigjet e ekspertimit mjeko-ligjor dhe të balistikës për dy armët e zjarrit, një pistoletë dhe një kallashnikov, të cilat u sekuestruan pranë vendit të ngjarjes. Arma automatike u gjet e fshehur në kasollen e banesës, me një plumb në fole, ndërsa rreth shtëpisë së viktimës u sekuestruan tri gëzhoja.
Gjetja e gëzhojave në distanca të ndryshme ka përforcuar dyshimet e hetuesve se 62-vjeçari është ndjekur me vrap dhe është qëlluar me breshëri, derisa është prekur nga një plumb pas shpine. Sipas dyshimeve të para, pasi është rrëzuar, autori e ka goditur sërish me sëpatë në kokë. Autopsia dhe ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojnë nëse vdekja ka ardhur si pasojë e goditjes me armë zjarri apo nga dëmtimet e rënda në kokë të shkaktuara me mjete të ftohta.
Përveç nënës dhe djalit që ndodhen në masën e sigurisë “Arrest në burg”, organet e rendit po hetojnë mundësinë e përfshirjes së një personi të tretë në këtë ngjarje të rëndë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






