Transmetuar më 12-11-2026, 11:50

TIRANË – Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka paraqitur pretencën për kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli, duke kërkuar dënimin e tij me 1 vit burgim për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje. Krahas heqjes së lirisë, organi i akuzës ka kërkuar edhe aplikimin e dënimit plotësues, duke i ndaluar Shkrelit ushtrimin e funksioneve publike për një periudhë prej 5 vitesh.

Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, ngjarja daton gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Shkreli akuzohet se ka premtuar dhe ofruar të mira materiale për banorët e fshatit Stajkë, në këmbim të votave në favor të Partisë Socialdemokrate të drejtuar nga Tom Doshi.

Hetimet zbuluan se kryebashkiaku dyshohet se ka shfrytëzuar nevojat urgjente të komunitetit vendas për përmirësimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike, duke e lidhur dhe përdorur këtë investim publik gjatë periudhës së fushatës elektorale si mjet presioni dhe joshjeje për të siguruar mbështetje elektorale.

Pritet që në seancat e ardhshme Gjykata e Posaçme të shprehet me vendimin përfundimtar lidhur me këtë çështje.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit