Transmetuar më 12-11-2026, 11:43

ATHINË/ANKARA – Autoritetet greke kanë ekstraduar drejt Turqisë shtetasin Sercan Sayal, i dyshuar si drejtues i një organizate kriminale dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes një njoftimi të kuq të Interpol-it. Ai akuzohet për një mori krimesh të rënda, që përfshijnë gjithsej 116 vepra penale, mes të cilave vrasje me dashje, grabitje të armatosura dhe drejtim të një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas raportimeve të mediave të huaja, Sayal dyshohet të jetë lideri i një organizate kriminale të njohur si e “gjeneratës së re”. Ai lidhet penalisht me rreth 90 sulme me armë zjarri, tre ngjarje me plagosje, një vrasje, si dhe 164 raste kërcënimesh, të kryera kryesisht në qytetin turk të Izmirit. Operacioni për lokalizimin dhe ekstradimin e tij u finalizua falë bashkëpunimit të ngushtë mes strukturave policore, shërbimeve të inteligjencës dhe zyrave të Interpol-it të të dyja vendeve.

Me mbërritjen në Turqi, Sayal i është dorëzuar drejtësisë për t’u ballafaquar me akuzat e rënda që rëndojnë mbi të. Ministri i Brendshëm turk, Mustafa Çiftçi, theksoi se operacionet për kapjen dhe riatdhesimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar do të vijojnë me intensitet. Sipas të dhënave zyrtare të bëra publike nga ministria, që prej fillimit të vitit Turqia ka siguruar ekstradimin e 805 personave të kërkuar nga 45 shtete të ndryshme, ku përfshihen 189 drejtues ose anëtarë të organizatave kriminale.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit