

LONDËR – Një investigim i gjërë dhe i thelluar i kanalit prestigjioz britanik Sky News ka tronditur opinionin publik në Britaninë e Madhe, duke zbuluar mekanizmat e brendshëm se si funksionojnë rrjetet kriminale shqiptare të përfshira në trafikun dhe shpërndarjen e kokainës. Përmes një operacioni sekret disa mujor, i cili zgjati afro një vit, gazetarët investigativë arritën të depërtojnë në strukturat e këtyre grupeve duke përdorur identitete të rreme, telefona të posaçëm dhe ndihmën e një bashkëpunëtori që fliste rrjedhshëm gjuhën shqipe.
Rekrutimi përmes rrjeteve sociale dhe ofertat joshëse
Hulumtimi i gazetarëve nisi nga gjurmimi i reklamave të dyshimta të publikuara në platformën TikTok, ku ofroheshin vende pune me pagesa të larta për kinse transport dhe shpërndarje. Këto njoftime shpesh shoqëroheshin me emoji të borës, një simbol i përdorur zakonisht si kod për kokainën.
Në qytetin e Wigan, gazetarët organizuan një takim në një automjet të parkuar pranë një këndi lojërash për fëmijë me një nga personat që menaxhonte rrjetin. Gjatë bisedës së regjistruar fshehurazi, atyre iu ofrua një pagesë prej 280 paundësh në ditë në këmbim të shpërndarjes së lëndës narkotike, një shifër kjo shumë herë më e lartë se pagat mesatare në sektorin e ligjshëm të punësimit në Mbretërinë e Bashkuar.
Një episod tjetër u regjistrua në Exeter, ku një tjetër individ me pseudonimin "Leo" u takua me gazetarin e infiltruar në një kafene publike. Brenda pak minutash, pa shfaqur asnjë shqetësim për ambientin përreth, ai diskutoi hapur për çmimet e drogës, uljet për sasi më të mëdha dhe i ofroi gazetarit mundësinë për të nisur punën menjëherë në mesditë. Ish-oficeri i policisë David McKelvey, i cili analizoi pamjet, u shpreh se provat e mbledhura do t’i mjaftonin menjëherë forcave të rendit për të ndërmarrë kontrolle në adresat e përmendura.
Sistemi i shpejtë i shpërndarjes dhe "deal phones"
Investigimi ka hedhur dritë edhe mbi mënyrën se afron shpërndarja e kokainës në qytetet britanike. Grupet kriminale përdorin të ashtuquajturit “deal phones” (telefonat e porosive), të cilët kanë një vlerë të jashtëzakonshme në tregun e zi për shkak të kontakteve të konsoliduara të klientëve që përmbajnë (një prej tyre ishte reklamuar në TikTok për plot 300 mijë paund).
Për të testuar shpejtësinë e këtij sistemi, një gazetar i Sky News porositi kokainë në Royal Tunbridge Wells. Brenda pak minutash, ai mori konfirmimin dhe premtimin se porosia do të mbërrinte në adresa brenda 30 minutash.
Lidhja me kontrabandimin e emigrantëve dhe ekonominë e krimit
Përveç trafikut të kokainës, gazetarët zbuluan gjithashtu lidhje me rrjetet e kontrabandimit të paligjshëm të njerëzve. Në TikTok u identifikuan reklama ku ofrohej transporti i personave që kishin probleme në Britani drejt vendeve të Europës kundrejt një pagese prej 2,500 paundësh në kamionë. Frank Stewart, zyrtar i Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani (NCA), konfirmoi se disa nga grupet kriminale shqiptare janë shtrirë edhe në fushën e emigracionit të paligjshëm.
Rasti i një emigranti shqiptar, i cili kishte mbërritur në vitin 2022 me gomone pasi familjarët i kishin financuar udhëtimin, tregoi se si disa prej tyre përfundojnë të detyruar për të punuar në fermat e kanabisit apo si shpërndarëse për t’i shlyer borxhet e udhëtimit. Megjithatë, autoritetet dhe vetë autorët e dokumentarit theksojnë se këto raste nuk përfaqësojnë komunitetin shqiptar në Britani, pjesa dërrmuese e të cilit jeton dhe kontribuon ndershëm në shoqërinë britanike.
Dominojnë tregun e kokainës në Britani
Sipas ekspertëve financiarë dhe zyrtarëve të sigurisë, sukses financiar i këtyre grupeve buron nga fakti se ato kanë krijuar lidhje të drejtpërdrejta me kartelat e Amerikës së Jugut, duke anashkaluar ndërmjetësit evropianë, duke rritur kështu fitimet dhe pastërtinë e produktit. Britania e Madhe mbetet konsumatori më i madh i kokainës në Evropë, ndërsa agjencitë e zbatimit të ligjit vlerësojnë se grupet shqiptare kanë marrë kontrollin kryesor të importimit në vend.
Investigimi i plotë, i realizuar nga gazetari Chris Matthews në bashkëpunim me Full Story Films dhe Quicksilver Media, është pë ২০২১ë në dokumentarin “The Drug Lords Next Door”.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






