Transmetuar më 12-11-2026, 11:29

BRUKSEL – Një shtetas shqiptar, ende i paidentifikuar zyrtarisht, është ekzekutuar me armë zjarri në Bruksel, në një ngjarje të rëndë që dyshohet se lidhet me vrasjen e një efektivi të policisë belge vetëm pak orë më vonë. Sipas mediave belge, përfshirë gazetën “De Standaard”, hetuesit kanë arritur në përfundimin se pas të dyja atentateve qëndrojnë të njëjtët autorë.

Ngjarja e parë u regjistrua të hënën, rreth orës 17:50, në rrugën “Wiertz”, në komunën Ixelles, në afërsi të Parlamentit Evropian. Viktima shqiptare u qëllua me shtatë ose tetë plumba pistolete në gjoks brenda hollit të një pallati banimi. Pavarësisht ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës, ai ndërroi jetë në vendngjarje. Autoritetet konfirmuan se viktima nuk kishte precedentë penalë në Belgjikë, por mënyra e ekzekutimit të saj flet për një atentat të mirëorganizuar, që dyshohet se lidhet me larje hesapesh në fushën e trafikut të drogës.

Vetëm pak orë pas këtij krimi, autori ose autorët e dyshuar u përfshinë në ngjarje të tjera kriminale, duke grabitur me dhunë një automjet tip “Volkswagen T-Cross” në Tubize. Gjatë operacionit për kapjen e tyre rreth mesnatës, në bulevardin “Carton de Wiart” në komunën Jette, efektivi 41-vjeçar i policisë, Nordine El Talbi, iu afrua mjetit të dyshuar për kontroll. Në atë moment, personat brenda automjetit hapën zjarr, duke e lënë të vdekur policin në vend si pasojë e një plumbi në kokë.

Pas ngjarjeve, autorët braktisën automjetin ku u gjet edhe një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike, duke lënë pas tre armë zjarri. Falë analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë dhe hetimeve intensive, autoritetet belge arritën të identifikojnë dhe lokalizojnë të dyshuarit. Pak ditë më vonë, tre prej tyre u arrestuan në Almería të Spanjës teksa udhëtonin drejt Marokut, ndërsa një tjetër u vu në pranga në një stacion treni në Paris. Mes të arrestuarve është edhe një i mitur, ndërsa personat e tjerë vijojnë të mbahen në paraburgim në Belgjikë.

Prokuroria e Brukselit po vijon hetimet e thelluara për të zbardhur motivet e sakta dhe lidhjen e plotë mes dy vrasjeve, të cilat kanë tronditur opinionin publik dhe strukturat e sigurisë në vend.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit