

TIRANË – Administrata Doganore ka bllokuar mbi 2,1 ton produkte ushqimore dhe lodra për fëmijë në Tiranë, pasi gjatë kontrolleve fizike janë konstatuar shkelje dhe parregullsi në etiketimin e tyre.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për një ngarkesë prej 156 mijë njësish produktesh ushqimore dhe lodrash të ambalazhuara, të cilave u mungonte informacioni i detyrueshëm ligjor, konkretisht data e jetëgjatësisë minimale ose afati i përdorimit.
Parregullsitë u evidentuan nga Dega Doganore e Tiranës në bashkëpunim me Sektorin e Monitorimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, gjatë kontrolleve të ushtruara në bazë të analizës së riskut. Mungesa e këtij informacioni përbën shkelje të drejtpërdrejtë të kërkesave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 434, datë 11 korrik 2018, për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit.
Për këtë arsye, autoritetet doganore kanë vendosur bllokimin e menjëhershëm të të gjithë ngarkesës, duke mos lejuar çlirimin e mallrave për në treg deri në përfundimin e plotë të verifikimeve dhe procedurave ligjore.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, ka kërkuar angazhimin maksimal të strukturave përgjegjëse për hetimin e rastit dhe ndjekjen e mëtejshme të masave ligjore. Administrata Doganore thekson se kontrollet e rrepta do të vijojnë në mënyrë të vazhdueshme, me qëllim parandalimin e hedhjes në treg të produkteve që nuk përmbushin standardet dhe garantimin e mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






