

TIRANË – Ish-shefi i Forcës Operacionale, Oltion Bistri, nuk është gjetur në banesë nga ana e forcave të rendit, të cilat nuk kanë mundur të ekzekutojnë ende vendimin e formës së prerë të dhënë një ditë më parë nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Sipas informacioneve paraprake, Bistri ndodhet prej muajsh jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Apeli i Posaçëm e shpalli fajtor ish-drejtuesin e lartë të policisë për dosjen e njohur si "Metamorfoza", duke e dënuar atë fillimisht me 11 vjet heqje lirie. Për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 7 vite e 4 muaj burgim. Megjithatë, sipas përllogaritjeve të kryera nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke marrë parasysh kohën e kaluar në qeli gjatë masës së sigurisë, Bistrit i kanë mbetur për të shlyer edhe 3 vjet, 10 muaj e 14 ditë burg.
Në ndryshim nga vendimi i shkallës së parë dhënë në vitin 2025, e cila e kishte dënuar vetëm për akuzën e zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete, Gjykata e Apelit e ka fajësuar atë edhe për veprat penale të korrupsionit pasiv dhe të pastrimit të produkteve të veprës penale. Po kështu, vendimi i djeshëm ka rikthyer në fuqi edhe masën e konfiskimit të pasurive të tij, që përfshijnë 3 apartamente, 2 dyqane, si dhe një vlerë monetare prej 1 milion eurosh cash.
Oltion Bistri u vu në pranga fillimisht më 27 korrik 2023 në kuadër të operacionit "Metamorfoza", i cili zbardhi komunikimet e koduara në aplikacionet e fshehta. Ai qëndroi në paraburgim deri më 18 nëntor të vitit të kaluar, kur Gjykata e Posaçme urdhëroi lirimin e tij me pretendimin se koha e dënimit të vuajtur në paraburgim ishte shlyer.
Dosja “Metamorfoza” solli në vëmendje lidhjet e dyshuara mes drejtuesve të lartë të strukturave të rendit dhe botës së krimit, ku ish-kreu i Operacionales akuzohej se informonte biznesmenin e kazinove Pëllumb Gjoka për kontrollet e policisë, duke i siguruar paprekshmërinë e biznesit të tij në Tiranë. Në të njëjtën dosje u përfshi edhe ish-drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, i dënuar gjithashtu për nxjerrje të të dhënave sekrete dhe korrupsion pasiv.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






