

Buenos Aires, 11 nëntor 2026 – Ish-anëtari 74-vjeçar i organizatës ekstremiste të majtë “Brigadat e Kuqe”, Leonardo Bertulazzi, është arratisur nga arresti shtëpiak ku mbahej në Buenos Aires të Argjentinës.
Drejtoria e Përgjithshme e Inteligjencës Kriminale ka lëshuar menjëherë një urdhër arresti urgjent për kapjen e tij, ndërsa po mbahej në një banesë në qendër të kryeqytetit argjentinas duke pritur ekstradimin përfundimtar drejt Italisë, pas revokimit të statusit të tij të refugjatit nga Gjykata e Lartë e Drejtësisë. Në vendlindje, ai përballet me një dënim prej 27 vjetësh burg për rrëmbim personi, lidhje subversive dhe pjesëmarrje në grup të armatosur.
Arratsisja ka befasuar edhe mbrojtjen e tij ligjore, me avokatin Gabriele Fuga që deklaroi se nuk kishte pasur asnjë kontakt me 74-vjeçarin prej muajsh.
“Bertulazzi, së bashku me Mario Moretti dhe Riccardo Dura, ishte i përfshirë në rrëmbimin e inxhinierit Piero Costa në vitin 1977 në Xhenova. Nga shpërblimi i përfituar, 50 milionë lireta u përdorën nga organizata për blerjen e apartamentit në Via Montalcini në Romë, ku u mbajt i burgosur dhe u vra ish-kryeministri italian Aldo Moro,” citohet nga dosja e tij hetimore.
I arratisur nga drejtësia që nga viti 1980, Bertulazzi u riarrestua në gusht të vitit 2024 pas anulimit të azilit, ndërsa më 1 korrik 2025 Gjykata Supreme e Argjentinës miratoi përfundimisht kërkesën për ekstradimin e tij drejt autoriteteve italiane.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






