

Tiranë, 11 nëntor 2026 – Monedha europiane i është afruar sërish minimumit historik në tregun vendas, duke vijuar rënien e saj edhe gjatë muajit nëntor, ndonëse sezoni i pikut turistik ka përfunduar prej kohësh.
Sipas kursit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 90.72 lekë, vetëm 0.08 lekë larg rekordit minimal prej 90.64 lekësh të regjistruar më 22 tetor. Qe prej fillimit të ciklit të forcimit të Lekut në janar 2016 – kur euro këmbehej me 139.48 lekë – monedha e përbashkët ka humbur 48.76 lekë, ose gati 35% të vlerës së saj kundrejt monedhës kombëtare.
“Të dhënat e bilancit të pagesave tregojnë se gjatë periudhës 2016–2022 deficiti i llogarisë korente u përkeqësua nga rritja e importeve, por euro vijoi të zhvlerësohej. Rënia e monedhës europiane ka pasur një lidhje më të fortë me bumin e lejeve të ndërtimit sesa me hyrjet e turistëve, duke ngritur pikëpyetje mbi praninë e flukseve jozyrtare të valutës në treg,” bëhet me dije nga analiza e tregut financiar.
Ndërsa prurjet nga turizmi filluan të pasqyrohen më qartë në bilancin e llogarisë korente vetëm gjatë viteve 2023–2025, zhvlerësimi i vazhdueshëm i euros po godet fort bizneset eksportuese dhe ato me të ardhura në valutë, për shkak të rritjes së kostove të brendshme dhe pagave në lekë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






