Transmetuar më 11-11-2026, 17:56

Tiranë, 11 nëntor 2026 – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar zyrtarisht këtë të mërkurë kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, me kërkesën për nisjen e procedurave për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar lidhur me transferimin e tij nga burgu i Durrësit në atë të Fierit.

Përmes një reagimi publik, Veliaj bën me dije se kërkesa lidhet me pretendimet e tij për ndërhyrje dhe kërcënime nga kryeministri Edi Rama, nëpërmjet ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu. Sipas tij, komisioni duhet të hetojë nëse transferimi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si mjete presioni për ta detyruar të marrë përgjegjësinë për organizimin e protestave në Tiranë dhe të japë dorëheqjen nga mandati i kryebashkiakut.

Kryebashkiaku është shprehur i gatshëm të dëshmojë nën betim përpara Kuvendit, të përballet me ministrin Toni Gogu dhe të paraqesë provat që disponon, ndërsa kërkon që në procesin e llogaridhënies të përfshihet edhe kryeministri Edi Rama.

“Mandati i një kryetari bashkie buron nga vota e qytetarëve dhe vota e qytetarëve nuk mund të bëhet objekt shantazhi politik,” deklaroi Veliaj në reagimin e tij zyrtar.

Kreu i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se ka vënë në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, si dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, duke kërkuar njëkohësisht ruajtjen e menjëhershme të provave dokumentare dhe audiovizive që lidhen me procedurën e transferimit të tij.

Kerkesa-e-Veliajt-per-Komision-Hetimor

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit