Transmetuar më 11-11-2026, 16:54

Tiranë, 11 nëntor 2026 – Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka shprehur besimin se kuqezinjtë mund të reagojnë në përballjen me Finlandën, e cila do të zhvillohet më 12 nëntor në stadiumin “Arena Kombëtare”, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Në konferencën për shtyp në prag të kësaj sfide, Maran u ndal te gjendja e skuadrës, objektivi për ndeshjen dhe rëndësia e mbështetjes së tifozëve. Shqipëria kërkon të rikthehet te rezultatet pozitive pas humbjes në Helsinki.

Tekniku italian theksoi se skuadra ndihet e përgatitur dhe e motivuar për të dhënë maksimumin në fushë, duke vlerësuar mbështetjen e tifozëve kuqezi.

“Jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për t’ua shpërblyer të gjithëve mbështetjen. Lojtarët, sa herë vijnë këtu, duan të japin maksimumin. Ne duhet ta justifikojmë mbështetjen e kaq shumë tifozëve në fushë, duke luajtur me përgjegjësi të madhe, sepse përfaqësojmë diçka shumë të rëndësishme”, u shpreh Maran.

I pyetur për objektivin ndaj Finlandës, trajneri ishte i qartë se synimi i vetëm është fitorja.

“Mua më intereson Shqipëria dhe synimi im është të marrim tri pikët. Sigurisht, edhe trajneri i Finlandës mund të thotë të njëjtën gjë, por unë kam ekipin tim dhe objektivin tim. Ne duhet të jemi të bindur për atë që mund të bëjmë në fushë dhe të përqendrohemi te vetja”, deklaroi ai.

Maran foli edhe për nevojën që skuadra të mos përsërisë gabimet e ndeshjeve të mëparshme, duke nënvizuar se rezultati kolektiv duhet të jetë mbi objektivat individuale të futbollistëve.

Sipas tij, fitorja është më e rëndësishme se emri i lojtarit që shënon, ndërsa ulja e ritmit të lojës në pjesën e dytë ndaj San Marinos është një gabim që duhet korrigjuar.

Duke iu referuar humbjes në Helsinki, trajneri u shpreh se Shqipëria kishte treguar se mund ta kontrollonte lojën, të krijonte raste dhe të shënonte, edhe në kushte të vështira, pasi kishte mbetur me një lojtar më pak.

“Jam i bindur se mund ta bëjmë sërish atë që dimë dhe besoj se do ta tregojmë këtë nesër në fushë”, përfundoi Maran.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit