

SHBA, 11 nëntor 2026 – Një ngjarje e rëndë është regjistruar në jug të Shteteve të Bashkuara, ku një foshnjë 11 muajshe u gjet e gjallë pasi dyshohet se ishte groposur nga babai i saj brenda një kafazi qeni.
Vogëlushi, i identifikuar si Koah Sharpe, u shpëtua të martën pasdite, më 10 nëntor, pas më shumë se 24 orësh kërkimesh intensive në qarkun Lexington.
Sipas autoriteteve, foshnja ishte vendosur në një kafaz qeni, i mbështjellë me një peshqir dhe i mbuluar me dhe. Ai kishte qëndruar në këto kushte për rreth një ditë, përpara se ekipet e kërkim-shpëtimit të arrinin ta lokalizonin.
“E gjetëm të voglin Koah, 11 muajsh, të groposur të gjallë, duke luftuar për jetën dhe duke qarë. Ishte tingulli më i bukur që mund të dëgjonim”, deklaroi sherifi gjatë një konference për mediat.
Nga hetimet paraprake rezulton se foshnja ndodhej nën kujdesin e gjyshes së tij, Patricia Comer, kur babai, 25-vjeçari Michael Comer, mbërriti në banesë të hënën. Gjyshja ia besoi fëmijën të birit për një periudhë të shkurtër, pasi duhej të kryente një punë dhe pritej të vinte një person tjetër për t’u kujdesur për të.
Pas zhdukjes së foshnjës, familjarët njoftuan policinë, e cila nisi menjëherë kërkimet në disa zona të qarkut. Michael Comer u lokalizua të hënën në mbrëmje, në një ndërtesë ndihmëse në zonën e Batesburg-Leesville, por fëmija nuk ishte me të.
Operacioni vijoi gjatë gjithë natës dhe ditës së martë, me angazhimin e rreth 100 efektivëve dhe pjesëtarëve të ekipeve të kërkim-shpëtimit. Pas lokalizimit të kafazit, foshnja u nxor nga dheu dhe u transportua me urgjencë në spital.
Autoritetet bëjnë me dije se 11-muajshi po merr trajtim mjekësor, ndërsa shpresojnë që të rikuperohet plotësisht.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Prokuroria dhe autoritetet po shqyrtojnë edhe akuza të tjera që mund të ngrihen ndaj 25-vjeçarit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






