

BEOGRAD — Ish-ministri i Ekonomisë i Serbisë, Rade Basta, është arrestuar nga policia në Beograd me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike, nën dyshimin për shprdorim detyre dhe shkaktim të dëmeve financiare.
Hetimet ndaj ish-zyrtarit të lartë përqendrohen te periudha kur ai drejtonte ndërmarrjen publike "Beogradske elektrane", përpara se të merrte postin qeveritar. Basta dyshohet se ka miratuar pagesa dhe donacione të pajustifikuara prej dhjetëra miliona dinarësh në favor të organizatave sportive, përfshirë klube futbolli e basketbolli, si dhe një klub kalërimi. Aksioni i policisë u shoqërua me kontrolle në disa ambiente, ndërsa në kuadër të çështjes janë shoqëruar edhe persona të tjerë.
Rade Basta mbajti detyrën e ministrit të Ekonomisë nga tetori i vitit 2022 deri në vitin 2023, kur u shkarkua për shkak të qëndrimeve të tij publike pro-ukrainase dhe kërkesës që Serbia t’i bashkohej sanksioneve ndaj Rusisë. Pas largimit nga qeveria, ai themeloi lëvizjen politike "Rruga Evropiane". Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave financiare të ndërmarrjes publike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






