Transmetuar më 10-11-2026, 23:20

Uashington, 10 nëntor 2026 – Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka përmendur ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë në vitin 1999, gjatë një konference për media në Pentagon, për t’i bërë ballë një nisme për shkarkimin e tij të ndërmarrë nga kongresisti republikan Thomas Massie.

Hegseth argumentoi se operacionet ushtarake të ndërmarra nën drejtimin e tij ishin plotësisht të ligjshme dhe se mosmarrëveshjet politike nuk përbëjnë bazë ligjore për shkarkim zyrtarësh.

“Asnjëherë, me apo pa rezolutë për kompetencat e luftës. As nën Reaganin në Liban, as nën Clintonin në Kosovë, as nën Obamën në Irak dhe Siri, as nën Bidenin në Irak dhe Siri. Ky është standardi,” deklaroi Hegseth.

Nisma për shkarkim bazohet në tetë akuza të paraqitura nga Massie, ku përfshihen pretendimet se operacionet ushtarake të SHBA-së kundër Iranit, sulmet ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe e Paqësor, si dhe veprimet në Jemen e Venezuelë janë kryer pa autorizimin e nevojshëm të Kongresit.

Sekretari i Mbrojtjes i hodhi poshtë këto pretendime, duke nënvizuar se veprimet ishin të urdhëruara nga Presidenti Donald Trump dhe duke e cilësuar nismën si një "spektakël politik të nxitur nga egoja". Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë mbi këtë procedurë brenda datës 11 nëntor, ndërsa Presidenti Trump i ka dalë publikisht në mbrojtje krerëve të Pentagonit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit