

Tiranë, 10 nëntor 2026 – Analistët Nora Malaj dhe Ilir Demaliaj ishin të ftuar në episodin më të fundit të emisionit “Topin e kam unë” me Grida Dumën, ku u përfshinë në replika të ashpra me të rinjtë e panelit mbi protestat, tranzicionin politik dhe mënyrën e analizimit të zhvillimeve në vend.
Gjatë diskutimit, ish-zëvendësministrja Nora Malaj pranoi dështimin e brezit të saj për ndërtimin e një shteti funksional pas rënies së diktaturës:
“Ne kemi një faj, jo gabim, që në 36 vite e lamë vendin në tranzicion, nuk ndërtuam sistem. Unë kam ngrënë gaz lotsjellës, kam lëvizur mes plumbave të 1997-ës. Nuk e mbyllëm tranzicionin për të ndërtuar shtetin. Kjo shkaktoi metamorfozë dhe mbi 40% nuk deshën të votonin, hoqën përgjegjësinë dhe i dhanë pushtetin një partie. Nëse ne prindërit tuaj do të kemi të gjitha pushtetet, nuk ju dëgjojmë më, kthehet vetë në diktaturë. Bashkëbisedimi juaj më duket si ‘Liza në botën e çudirave’. Një ditë ishte Macja që ulëriti se i kanë kafshuar bishtin, në fakt e kishte kafshuar vetë. Ne jetojmë dy breza bashkë, por çfarë do të bëjmë. Ne brezi ynë e bëmë revolucionin, por nuk e çuam të plotë. Na bëri realizmi makiavelist dhe kishim frikë.”
Nga ana tjetër, analisti Ilir Demaliaj u përfshi në debate të drejtpërdrejta me të rinjtë e panelit, duke u kontestuar nga ata për mbrojtje të mazhorancës politike. Pas akuzave të panelistëve të rinj se paneli mbron qëndrimet e pushtetit, Demaliaj reagoi duke iu përgjigjur kritikave mbi rrjetet sociale dhe financimet e tij:
“Ti Kejdi, qëllimi yt është se je influencer dhe… Ju keni dalë në TV dhe keni dalë të thoni se ju kanë marrë lekë për diploma. Ti nuk e di se nga paguhem unë, unë 35 vjet nuk kam qenë në këtë vend. Të kam parë këtu në emision, të duket vetja shumë lart. E ke fryrë shumë gomën.”
Replikat u thelluan pasi të rinjtë Danjeli, Artemisa dhe Kejdi ngritën shqetësime për varfërinë, dhunën policore dhe përdorimin e propaganda-s në rrjetet sociale. Përplasja u moderua nga Grida Duma, e cila theksoi se përballja e mendimeve kundër kërkon taban fjale dhe argumente, e jo mbyllje goje.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






