Transmetuar më 10-11-2026, 22:09

Është identifikuar shqiptari i cili u vra me armë zjarri mesditën e së martës në Orihuela Costa, në provincën e Alicante-s në Spanjë. Siç raportohet viktima është Luka Beqiraj, 39 vjeç, me origjinë nga Vlora, i cili u qëllua për vdekje teksa ndodhej në tarracën e një lokali.

Ngjarja e rëndë ndodhi në ambientet e kompleksit sportiv "Playa Flamenca Sport Club" mesditën e sotme pas orës 13.

Sipas raportimeve të mediave spanjolle, autori është afruar pranë lokalit me një patinë elektrike dhe ka qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të Beqirajt, duke i shkaktuar plagë fatale.

Menjëherë pas të shtënave, agresori është larguar nga vendngjarja me të njëjtën patinë, duke humbur gjurmët brenda pak sekondash.

Në vendngjarje mbërritën shërbimet e urgjencës për t’i dhënë ndihmën e parë, por për shkak të plagëve të rënda të marra, 39-vjeçari nuk arriti të mbijetonte. Policia spanjolle dyshon se vrasja mund të ketë lidhje me një larje hesapesh mes grupeve kriminale.

Sipas mediave lokale, hetuesit e Guardia Civil po shqyrtojnë mundësinë e një konflikti kriminal, ndonëse deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për motivin e saktë.

Autoritetet po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit i cili vijon të jetë në arrati, ndërsa autopsia e trupit të viktimës pritet të kryhet ditën e mërkurë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit