Transmetuar më 10-11-2026, 21:52

Këshilltari i opozitës dhe kryetari i grupit të këshilltarëve të djathtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti, ka konfirmuar zyrtarisht gatishmërinë e tij për të qenë kandidat i opozitës për drejtimin e Bashkisë së Tiranës, duke nënvizuar se vendimi përfundimtar duhet të vijë përmes një konsensusi të plotë mes të gjitha forcave politike opozitare.

Gjatë një interviste për "Vizion Plus", Alimehmeti u bëri thirrje partive të opozitës që të bashkërendojnë qëndrimet për të dalë me një kandidaturë të vetme për kryeqytetin. Ai paralajmëroi se në kushtet e sistemit zgjedhor me një raund, çdo kandidim i ndarë do të i shërbente drejtpërdrejt mazhorancës në pushtet.

Lidhur me pozicionimin e tij dhe nevojën për unifikim të të gjithë faktorëve opozitarë, Alimehmeti u shpreh me detaje mbi strategjinë që duhet ndjekur:

“Unë e kam vendosur veten time në dispozicion të opozitës. Sepse unë kështu besoj që duhet bërë kjo punë. Duhet bërë me një konsensus brenda forcave që mendoj me të vërtetë që interesi publik është rrëzimi i sa më parë i qeverisë së Ramës, të cilat duhet të bashkërendojnë forcat me njëra-tjetrën. Sepse, të jemi shumë të qartë, e dimë shumë mirë nëse nuk do të ketë ndryshime nga ligji territorial, se ju e dini që është bërë edhe një kërkesë për futjen e zgjedhjeve me dy faza, që do të thotë me sistemin e balotazhit.

Pra, nëse kjo nuk kalon, se nuk i intereson Edi Ramës kjo kështu, se e dinë që i humb zgjedhjet kështu, nëse kjo nuk kalon, atëherë kërkohet një bashkërendim se është me një fazë të vetme dhe kërkon bashkërendim që në fillim të të gjithë opozitës. Kështu që unë mendoj dhe shpresoj që të gjithë faktorët e opozitës të ulen njëri me tjetrin, të gjejnë konsensusin për të gjitha bashkitë mundësisht, po veçanërisht për Tiranën që është më e madhja dhe më heterogjene dhe të gjitha forcat janë të pranishme këtu, dhe të vendosin një kandidat të vetëm. Nëse vendoset më shumë sesa një kandidat, do të thotë që neve po bëjmë lojën e kundërshtarit.”

Pyetur mbi mundësinë e një projekti konkret drejtues për kryeqytetin dhe njohjen e problematikave me të cilat përballet sot qyteti, Alimehmeti nënvizoi angazhimin e tij të përditshëm në Këshillin Bashkiak:

“Nuk është diskutim që lind sot dhe ndërkohë patjetër jam kryetar i grupit të këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Tiranës. Kështu që jemi gjithë kohës të përfshirë në le të themi ndjekjen e ecurive ashtu siç shkon kjo Bashkia e Tiranës që është bllokuar ashtu siç është bllokuar dhe është abuzuar ashtu siç është abuzuar. Jemi shumë të qartë për të gjitha problematikat dhe jemi shumë të qartë për ato që bëhen dhe s’mund të bëhen. Kështu që në këtë aspekt, ama në radhë të parë duhet të jetë ky konsensus i forcave opozitare që të çojë përpara frymën, që të çojë përpara ndryshimin e madh. Dhe jua them me bindje të plotë që në qoftë se këto arrijnë, gjë që është shumë e vështirë, ju e dini kushtet e Shqipërisë, shumë i vështirë është ky konsensus, këto forca do të hyjnë dhe do bëjnë një hap historik. Do të mbahet mend për një konsensus në emër të interesit publik.”

I pyetur lidhur me raportet me Partinë Demokratike dhe procedurën e përzgjedhjes pas vlerësimeve pozitive nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, ai theksoi rëndësinë e procesit mbi emrat e përveçëm:

“Në radhë të parë duhet parë procesi se si do bëhet. Pra në qoftë se ju e mbani mend sot një vit neve patëm një proces ku të gjitha forcat komunikuan njëra me tjetrën për Tiranën. E mbani mend këtë besoj, që një raund takimesh që doli në një përfundim dhe kandidati u mbështet nga të gjitha forcat. Unë e di sepse isha në grupi negociator kështu që e di nga shumë brenda këtë bisedë. Ai ishte një lloj procesi shumë mendoj unë shumë konstruktiv dhe ai lloj procesi unë shpresoj që të ribëhet. Do bëhet apo s’do bëhet, këtu do jemi neve, do ta ndjekim në dinamikë, por procesi është më i rëndësishëm sesa emri i përveçëm, sepse garanton një horizont, një vizion dhe një emërues të përbashkët. Prandaj procesi është më i rëndësishëm se individi.”

Mbi qëndrimin e tij në rast se Partia Demokratike vendos një emër tjetër për garën e Tiranës, Alimehmeti u shpreh kategorik se do të respektojë vendimmarrjen e përbashkët për të mbrojtur interesin e qytetarëve:

“Interesi publik është mbi interesin vetjak dhe sa kohë të bëhet fjalë për interesin publik unë do zgjedh interesin publik si kudo që të jetë, në politikë, jashtë politikës, në shëndetësi, jashtë shëndetësisë e në të gjitha format. Publiku është kryesori. Pra nëse këto forca mblidhen e zgjedhin një kandidat konsensual, kjo punë është e kryer dhe Tirana është e kthyer. Nëse këtë gjë nuk e arrin dot, atëherë rruga për të marrë Tiranën bëhet pothuajse e pamundur. E dinë të gjitha forcat këtë dhe unë shpresoj të kenë kthjellësinë dhe të kenë ndërgjegjen e pastër kundrejt qytetarit në këtë aspekt.”

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit