Transmetuar më 10-11-2026, 21:38

Teheran, 10 nëntor 2026 – Irani ka bërë publik ekzistencën e një kompleksi të ri të madh ushtarak nëntokësor, të cilin e ka cilësuar si një “qytet raketash”, ndërsa ka lëshuar paralajmërime të fortë ndaj Uashingtonit.

Mediat shtetërore iraniane kanë transmetuar pamje nga brendësia e objektit të ndërtuar thellë në një vargmal, ku shfaqen raketa balistike, raketa lundrimi dhe sisteme lëshimi gjatë një inspektimi nga drejtuesit më të lartë ushtarakë, përfshirë Shefin e Shtabit Ali Abdollahi dhe komandantin e Forcës Hapësinore të Gardës Revolucionare, Majid Mousavi.

Sipas zëdhënësit të Gardës Revolucionare, Hossein Mohebbi, Teherani po përshpejton zhvendosjen e kapaciteteve të prodhimit të raketave dhe dronëve nga sipërfaqja drejt strukturave të mbrojtura nëntokësore, për të siguruar vijueshmërinë e punës edhe në rast bombardimesh.

Paralelisht me publikimin e pamjeve, kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka lëshuar një paralajmërim të drejtpërdrejtë për SHBA-në:

“Mos bëni gabime në llogaritjet tuaja. Nëse bëni një gabim, Irani nuk do të hezitojë të ndërmarrë një veprim mbrojtës të shpejtë dhe të papritur. Këtë herë, forcat e armatosura të Republikës Islamike të Iranit do të jenë ato që do të përcaktojnë gjeografinë e konfliktit,” deklaroi Ghalibaf.

Stratagjia e zhvendosjes së bazave ushtarake nën tokë vjen si përpjekje e Teheranit për të mbrojtur arsenalin dhe linjat e prodhimit pas dëmtimeve të pësuara nga përplasjet e mëparshme me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, duke synuar të demonstrojë se zotëron ende kapacitete të plota mbrojtëse e sulmuese.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit