

Jambol, 10 nëntor 2026 – Një aksident masiv dhe tragjik ka regjistruar rritje të bilancit të viktimave në Bullgari, ku si pasojë e përplasjes së njëpasnjëshme të 86 automjeteve në autostradën e Trakisë, 12 persona kanë humbur jetën dhe 51 të tjerë kanë mbetur të plagosur, nga të cilët 13 ndodhen në gjendje të rëndë.
Aksidenti i rëndë ndodhi të martën në rajonin e Jambolit, mes kryqëzimeve të Zimnicës dhe Kabiles. Shkak paraprak për këtë përplasje zinxhir, ku u përfshinë 63 automjete në drejtimin Burgas-Sofje dhe 23 në drejtimin e kundërt, u bë mjegulla e dendur që uli ndjeshëm dukshmërinë në rrugë.
Ndërhyrja mjekësore dhe hetimet
Të plagosurit u transportuan me urgjencë në spitalet e Slivenit, Jambolit dhe Burgasit, ku mjekët iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale disa prej tyre. Bilanci tragjik u rrit pasi një nga të plagosurit ndërroi jetë në spitalin e Jambolit.
Ekspertja e sigurisë rrugore, Diana Rusinova, e cila ishte në vendngjarje, e cilësoi ngjarjen si një nga aksidentet më të rënda të regjistruara ndonjëherë, duke ngritur gjithashtu shqetësime mbi mungesën e sistemeve elektronike të paralajmërimit të hershëm për drejtuesit e mjeteve.
Në nderim të viktimave, qeveria bullgare ka shpallur të mërkurën, 11 nëntor, ditë zie kombëtare, ndërkohë që Shërbimi Hetimor Kombëtar ka nisur hetimet zyrtare për zbardhjen e plotë të shkaqeve të katastrofës rrugore.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






