

Vrasja e shqiptarit në Itali, prokuroria kërkon 24 vite burg për 45-vjeçarin: Fatos Cenaj ishte viktima më e lehtë për t’u goditur
Prokuroria italiane ka kërkuar dënimin me 24 vite burg për Moreno Violetton, 45-vjeçarin italian i akuzuar për vrasjen e shqiptarit Fatos Cenaj, 58 vjeç, në Fontaniva, në provincën e Padovës.
Kërkesa u paraqit nga prokurorja Maria D’Arpa gjatë pretencës në Gjykatën e Assizes në Padova, ku Violetto po gjykohet për vrasje me dashje, me rrethana rënduese të paramendimit dhe motiveve të ulëta.
Sipas prokurorisë, krimi nuk ishte pasojë e një konflikti të drejtpërdrejtë mes dy familjeve, por e një urrejtjeje të akumuluar që i akuzuari dyshohet se ushqente ndaj fqinjëve të tij.
Prokurorja argumentoi se shënjestrat e vërteta të 45-vjeçarit dyshohet se ishin vajza dhe dhëndri i viktimës, ndërsa Fatos Cenaj u zgjodh si personi më i lehtë për t’u goditur.
“Fatosi ishte viktima sakrifikuese më e lehtë dhe më e arritshme”, deklaroi prokurorja gjatë seancës.
Në mbështetje të kësaj teze, akuza paraqiti edhe një përgjim të realizuar pas vrasjes, në të cilin Violetto dyshohet se i kishte thënë partneres së tij: “Kështu trëndafilat do të vuajnë edhe pak”.
Sipas interpretimit të prokurorisë, kjo deklaratë lidhej me vuajtjen që vrasja do t’i shkaktonte vajzës së Cenajt dhe mbesave të tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 8 qershor 2025, kur Fatos Cenaj, ish-punonjës i burgjeve në Shqipëri, u qëllua me armë zjarri në kokë teksa po lëvizte me biçikletë në një rrugë të Fontanivës.
58-vjeçari u transportua në spital në gjendje kritike, por ndërroi jetë tri ditë më vonë si pasojë e plagëve të marra.
Moreno Violetto ka pranuar pjesërisht përgjegjësinë për krimin. Për shkak të rrethanave rënduese, ai rrezikonte edhe burgim të përjetshëm, por prokuroria kërkoi një dënim prej 24 vitesh, duke marrë parasysh rrethanat lehtësuese.
Tashmë pritet vendimi i gjykatës për fatin e 45-vjeçarit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






