Transmetuar më 10-11-2026, 16:10

Nga përleshja me 20 persona te shpërthimi me tritol në biznes dhe incidenti me kartonin e picës. Noizy rrëfen në GJKKO konfliktet, akuzat dhe deklaratat që, sipas tij, janë bërë në TikTok

Tiranë – Këngëtari Rigels Rajku, i njohur si Noizy, ka dëshmuar këtë të martë në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut, lidhur me shpërthimin me tritol në biznesin e tij në Durrës, në qershor të vitit 2022.

Gjatë dëshmisë, reperi ka zbuluar detaje nga ngjarja, konfliktet e mëparshme me Kleviol Ahmetin, si dhe një tjetër incident të dyshuar me eksploziv, që sipas tij ka ndodhur vetëm dy muaj më parë.

Noizy tregoi se në momentin e shpërthimit ndodhej në gjumë dhe ishte zgjuar nga zhurma e fortë. Më pas, babai i tij e kishte telefonuar për ta informuar mbi atë që kishte ndodhur.

“Isha në gjumë, shpërthimi më zgjoi. Më merr babi, më thotë ngjarjen. Unë i kam thënë nuk dua të dal se më shohin njerëzit”, deklaroi këngëtari.

I pyetur nga prokuroria për aktivitetin që zhvillohej në objektin e dëmtuar, ai u përgjigj: “Funksion për të bërë lekë, shitje rrobash”.

Gjatë dëshmisë, Noizy pretendoi se kishte mësuar se kush qëndronte pas sulmit, duke iu referuar deklaratave që, sipas tij, Kleviol Ahmeti kishte bërë publikisht në rrjetet sociale.

“E kam ditur kush e ka bërë. Ka dalë vetë personi, Kleviol Ahmeti, e ka thënë që e ka vënë Laerti për mua. Edhe para dy muajsh më vunë eksploziv në një karton pice. Policia e pa fitilin e pandezur. Është e njëjta dorë”, u shpreh reperi.

Ai tregoi gjithashtu se një ditë përpara shpërthimit të vitit 2022 kishte pasur një përplasje fizike me Kleviol Ahmetin, i cili, sipas tij, kishte mbërritur në lokal i shoqëruar nga rreth 20 persona.

“E kam sqaruar mbi 20 herë se përse e ka bërë. Një ditë më parë patëm një përleshje me Kleviol Ahmetin. Më erdhi në lokal me 20 veta për t’u sqaruar. Ofendon stafin dhe mua. Nisi përleshja fizike, atë natë shpërthen dinamiti. Del live në TikTok ai dhe thotë pati bubullima nga Durrësi. E ka pranuar vetë”, deklaroi Noizy.

I pyetur nga prokurori nëse e njihte Laert Haxhiun, këngëtari mohoi të kishte pasur njohje me të përpara ngjarjes.

“Nuk e njoh, vetëm pas rastit. Nuk e di kush ishte personi që e vuri lëndën plasëse. E tregoi vetë Klevioli në TikTok, ka një gjyq të hapur se më ka djegur dhe makinën. Personi që e ka djegur e ka pranuar që ka marrë 600 euro”, tha ai.

Gjykata e pyeti më tej se ku i kishte marrë informacionet për Kleviol Ahmetin dhe cili mund të ishte motivi i konfliktit.

“Brenda 24 orëve vetë personi i tha në rrjetet sociale. Motivin e doni troç? Erdhi për t’u sqaruar, prej vitit 2019 më shan me nënë e me babë, e bën për famë”, u përgjigj reperi.

Në këtë moment ndërhyri edhe avokati mbrojtës, i cili e pyeti nëse mendonte se personat që e ofendonin fitonin famë nëpërmjet tij.

“Nuk e mendoj, merr shumë famë”, iu përgjigj Noizy.

Në përfundim të pyetjeve, këngëtari iu drejtua trupit gjykues duke kërkuar të dinte nëse do të ishte e nevojshme të paraqitej sërish për të dëshmuar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit