

Tiranë, 10 nëntor 2026 – Ruben Saraiva, i dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Lezhës për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, është paraqitur në Gjykatën e Apelit, ku po shqyrtohet ankimi i tij ndaj vendimit. Mbrojtja kërkon shfuqizimin e dënimit, duke pretenduar se procesi gjyqësor është shoqëruar me shkelje procedurale dhe se provat e administruara nuk vërtetojnë përfshirjen e Saraivës si autor i ekzekutimit.
Gjatë seancës, avokati mbrojtës vuri në dukje se klientit të tij, shtetas portugez, nuk i janë vënë në dispozicion të gjitha aktet e dosjes në gjuhën amtare. Sipas mbrojtjes, marrja në pyetje si person nën hetim, komunikimi i akuzës dhe kërkesa për gjykim janë kryer në anglisht, gjuhë të cilën Saraiva nuk e zotëron në nivelin e nevojshëm për të kuptuar plotësisht procedurat. Avokati argumentoi se mungesa e përkthimit në portugalisht ka cenuar të drejtën e klientit për një proces të rregullt ligjor.
“Është dënuar me burgim të përjetshëm. Vendimi nuk ka qenë i rregullt në aspektin procedural, pasi ai nuk ka marrë asnjë akt shkresor në gjuhën amtare të tij. Provat e administruara nuk krijojnë një bindje se Ruben Saraiva është personi i maskuar që qëlloi,” deklaroi mbrojtësi.
Një tjetër pikë e kundërshtimit lidhet me identifikimin e autorit. Sipas avokatit, dëshmitë e administruara gjatë hetimeve nuk e identifikojnë drejtpërdrejt Saraivën si personin që kreu vrasjen, ndërsa u kundërshtua edhe mënyra e administrimit të provës së ADN-së dhe mungesa e një analize krahasuese në Shqipëri. Vetë Ruben Saraiva i bëri thirrje gjykatës për një shqyrtim transparent dhe të paanshëm, duke ritheksuar shqetësimet për cilësinë e përkthimit dhe mungesën e dokumentacionit në gjuhën e tij amtare.
Biznesmeni Ardian Nikulaj u ekzekutua më 19 prill 2023 brenda lokalit të tij në Shëngjin. Për këtë ngjarje, si porositës dhe organizator akuzohet Edmond Haxhia, ndërsa në pranga kanë rënë edhe shtetas të huaj të përfshirë si bashkëpunëtorë apo informatorë. Saraiva, i cili u ekstradua nga Maroku në fund të vitit 2023, vijon betejën ligjore në Gjykatën e Apelit për të rrëzuar dënimin kapital.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






