

Dëshmia në GJKKO zbulon detaje nga konflikti që, sipas babait të Noizy-t, ndodhi vetëm një ditë para shpërthimit me tritol. Çfarë tregoi ai për personat që mbërritën në lokal dhe dëmin prej 30 mijë eurosh?
Detaje të reja janë zbardhur në Gjykatën e Posaçme gjatë seancës gjyqësore ndaj Laert Haxhiut, ku është dëgjuar dëshmia e Bashkim Rajkut, babait të reperit të njohur Noizy, lidhur me shpërthimin me tritol në lokalin e familjes në Durrës, në qershor të vitit 2022.
Në seancë ishin thirrur për të dëshmuar edhe këngëtari Rigels Rajku, i njohur me emrin artistik Noizy, ndërsa i pandehuri Laert Haxhiu nuk ishte i pranishëm dhe përfaqësohej nga avokati mbrojtës Detar Hysi.
Gjatë dëshmisë së tij, Bashkim Rajku u pyet nga prokurori Behar Dibra për rrethanat e shpërthimit. Ai tregoi se kishte dëgjuar një zhurmë të fuqishme dhe më pas kishte konstatuar se xhamat e lokalit, që ndodhej në të njëjtin pallat ku banonte familja, ishin shkatërruar.
I pyetur për personat që mund të qëndronin pas ngjarjes, babai i këngëtarit deklaroi se nuk kishte prova konkrete, por përmendi konfliktet e mëparshme të të birit.
“Djali im është artist, mund të ketë pasur ndonjë fërkim apo hatërmbetje. Nuk kishim dyshime në momentin e parë. Ju e dini historinë, ka pasur fërkime me atë të Lushnjës. Nuk kam fakte ta them konkretisht. Punë artistësh”, u shpreh Rajku.
Një nga momentet më të rëndësishme të dëshmisë ishte rrëfimi për atë që kishte ndodhur vetëm një ditë përpara shpërthimit. Sipas tij, disa persona kishin mbërritur me pesë ose gjashtë automjete pranë lokalit dhe kishin provokuar Noizy-n, duke shkaktuar një konflikt.
“Një ditë para erdhën 5-6 makina dhe e kanë provokuar çunin tim, kanë bërë sherr te lokali dhe ndodhi kjo që ndodhi. Klevioli na ka dalë nga hiçi. Nuk kemi pasur asnjë njohje”, deklaroi ai përpara gjykatës.
Bashkim Rajku bëri të ditur gjithashtu se dëmet materiale të shkaktuara nga shpërthimi me eksploziv përllogariteshin në rreth 30 mijë euro.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






