Transmetuar më 10-11-2026, 14:22

Çështja e aksidentit tragjik të 3 majit në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur dhe mbeti i plagosur rëndë një tjetër, ka kaluar në një fazë të re procedurale. Prokuroria ka kërkuar dërgimin për gjykim të 57-vjeçarit Nikoll Radaçi, drejtuesit të automjetit që u përfshi në ngjarjen e rëndë.

Radaçi akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy të miturve.

Seanca paraprake pritet të zhvillohet në Gjykatën e Durrësit, me dyer të mbyllura, ku do të shqyrtohet kërkesa e organit të akuzës për kalimin e çështjes në gjykim.

Ndërkohë, për 57-vjeçarin është kërkuar pushimi i akuzës për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal, për shkak të zbatimit të ligjit nr. 57/2026 “Për amnistinë”.

Si ndodhi aksidenti që u mori jetën dy fëmijëve

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 3 majit 2026, në zonën e ish-Kënetës në Durrës.

Sipas të dhënave të hetimit, Nikoll Radaçi, duke drejtuar një automjet tip “Mercedes-Benz ML”, dyshohet se po lëvizte me shpejtësi të lartë kur përplasi tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç, të cilët ndodheshin në trotuar.

Përplasja rezultoi fatale për dy prej tyre, 10 dhe 12 vjeç, të cilët humbën jetën në vendngjarje. Ndërsa fëmija 8-vjeçar mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Sipas raportimeve, testimi i alkoolit tregoi një nivel prej 0.73 mg/l te drejtuesi i automjetit.

Pas aksidentit, 57-vjeçari u largua nga vendngjarja, duke pretenduar më pas se kishte pasur frikë nga reagimi i qytetarëve.

“Djali doli për një akullore”, rrëfimi prekës i nënës

Një nga dëshmitë më prekëse pas tragjedisë ka qenë ajo e nënës së njërit prej fëmijëve që humbën jetën.

Ajo ka rrëfyer se ditën e aksidentit kishte qenë në kishë së bashku me djalin e saj. Pasi ishin kthyer në shtëpi, i mituri kishte kërkuar të dilte për pak kohë me shokët dhe të blinte një akullore.

“Sa u kthyem nga kisha, djali doli për një akullore”, ka kujtuar nëna, duke përshkruar momentet përpara ngjarjes tragjike.

Fëmijët ndodheshin pranë banesave të tyre kur automjeti i drejtuar nga 57-vjeçari i përplasi në trotuar.

Çështja në Gjykatë, pritet vendimi për vijimin e procesit

Me përfundimin e hetimeve, organi i akuzës kërkon që Nikoll Radaçi të përballet me gjykimin për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor me pasoja fatale.

Gjykata do të vendosë në seancën paraprake nëse çështja do të kalojë për gjykim, si edhe do të shqyrtojë kërkesën për pushimin e akuzës tjetër në kuadër të amnistisë.

Tragjedia e 3 majit në Durrës mbetet një nga ngjarjet e rënda rrugore të këtij viti, me dy fëmijë që humbën jetën teksa ndodheshin në trotuar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit