

BULQIZË — Hetimet për vrasjen e 62-vjeçarit Urim Fiku në fshatin Gofdaj të Bulqizës kanë marrë një tjetër rrjedhë, pas zbulimit të provave të reja gjatë kontrolleve të imtësishme të ushtruara në banesën e viktimës.
Gjatë kontrollit të zhvilluar mëngjesin e kësaj të marte, forcat e policisë kanë gjetur të fshehur në kasollen e banesës një armë zjarri automatike të llojit kallashnikov me fishekë në karikator dhe një plumb në fole. Ndërhyrja e policisë u krye pasi një ditë më parë pranë vendit të ngjarjes u sekuestruan tri gëzhoja automatiku, çka ngriti dyshimet për përdorimin e dy armëve të ndryshme gjatë krimit. Gëzhojat dhe armët e sekuestruara pritet t’i nënshtrohen një ekspertize krahasuese balistike.
Pozicioni i gëzhojave të gjetura në distanca nga njëra-tjetra ka ngritur dyshimet se viktima është ndjekur me vrap nga autori, i cili e ka qëlluar nga mbrapa. Më pas, ndaj 62-vjeçarit është përdorur edhe një sëpatë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në kokë. Groupi hetimor po pret akt-ekspertimin nga Mjekësia Ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes, ndërsa po punohet për identifikimin e një personi të tretë të dyshuar si i përfshirë në ngjarje. Lidhur me këtë krim, gjykata ka caktuar masën "arrest në burg" për bashkëshorten dhe djalin e viktimës, Sadete dhe Gazmir Fiku.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






