Transmetuar më 10-11-2026, 10:18

TIRANË — Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka dënuar me nga 9 muaj burgim shtetasit Franci Çela, Erlin Xhucani dhe Ardit Stambolliu, pasi u shpallën fajtorë për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.

Hetimet e ndjekura nga Prokuroria e Tiranës nisën pas kallëzimit të shoqërisë “Digitalb”, lidhur me shpërndarjen e paligjshme të paketave televizive. Përmes blerjeve të simuluara dhe verifikimeve në rrjetet sociale, hetuesit identifikuan subjektet “FRA SYSTEM IPTV” në pronësi të Franci Çelës, “Elektronika Shop” në pronësi të Erlin Xhucanit dhe “4k server (Kanale.al)” në pronësi të Ardit Stambolliut, të cilët shisnin dekodera dhe aplikacione me kanale të koduara të platformave vendase e ndërkombëtare pa licencë apo autorizim.

“Nga hetimet u provua se veprimtaria e të pandehurve përfshin ndërhyrje në sistemet kompjuterike të operatorëve të licensuar dhe përvetësimin e të dhënave që atyre u përkasin, duke i shpërndarë ato te përdoruesit e tretë në mënyrë mashtruese dhe të paligjshme. Kjo veprimtari është ndërmarrë me qëllim sigurimi të përfitimit ekonomik personal”, thuhet në vendimin e trupit gjykues.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit