

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, ka zhvilluar një takim zyrtar në Pallatin Presidencial Quirinale me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe një delegacion të kryetarëve të bashkive italiane ku jetojnë komunitete arbëreshe, ku pjesë e takimit ishte edhe Eparkia e Ungrës (Lungro).
Kreu i shtetit italian e nisi takimin me një gjest të veçantë miqësie, duke u drejtuar të pranishmëve në gjuhën shqipe:
“Mirëmëngjes, dhe ju lutem më falni për shqiptimin tim,” u shpreh Mattarella, duke bërë me humor një koment për shqiptimin dhe duke treguar vëmendje ndaj trashëgimisë kulturore të arbëreshëve.
Në qendër të bisedës ishte lidhja historike, kulturore dhe vëllazërore mes Shqipërisë dhe Italisë, e ruajtur ndër shekuj falë komuniteteve arbëreshe. Mattarella falënderoi homologun e tij shqiptar për miqësinë personale dhe i cilësoi arbëreshët si “ruajtës të një historie të lashtë”.
Gjatë fjalës së tij, presidenti italian kujtoi vizitat e përbashkëta në qendrat arbëreshe, si ajo në Piana degli Albanesi në tetor të vitit 2024 krah Begajt, si dhe vizitën e tetë viteve më parë në Shën Mitër Koronë (San Demetrio Corone) së bashku me ish-presidentin Ilir Meta.
“Edhe sot mund të përsërisim se ndihemi vërtet anëtarë të së njëjtës bashkësi,” deklaroi Mattarella, duke nënvizuar se bashkëpunimi dhe vëllazëria mes dy popujve mbeten të forta dhe të pacënuara ndër vite.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






