

Katër ditë pas shpërthimit tragjik të gazit në një pallat në Elbasan, që u mori jetën dy personave dhe la pa banesë 15 familje, 20-vjeçari Manuel Sanço ka rrëfyer për herë të parë, me fjalët e tij dhe pa ndërprerje, momentet e tmerrit dhe përpjekjet e dëshpëruara për të shpëtuar familjarët e bllokuar nën rrënoja.
Manueli tregoi se në momentin e ngjarjes po kthehej në banesë së bashku me nënën e tij. Ishim futur në oborrin e pallatit dhe për një fraksion sekondi dëgjuam një zhurmë jashtëzakonisht të madhe. Mbeta i shtangur. Mami vrapoi menjëherë drejt banesës dhe unë pas saj. I gjithë muri i katit të tretë kishte rënë poshtë, ndërsa tullat vazhdonin të binin ende.
Sipas të riut, në apartament ndodheshin babai dhe vëllai i tij 16-vjeçar. Kur hymë brenda pamë se gjithçka kishte shkatërruar. Soleta e katit të tretë kishte rënë në sallonin tonë. Kishte flakë të mëdha dhe tym të zi kudo. Ishte një pamje që nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Vëllai bërtiste nga poshtë rrënojave.
Momenti më dramatik për familjen ishte shpëtimi i vëllait të mitur, i cili kishte mbetur i bllokuar në dhomën e gjumit. Dëgjonim zërin e tij që bërtiste. Thërriste nënën dhe kërkonte ndihmë, duke thirrur "o ba, o ma ndihmë". Tek dera e dhomës kishte mbetur një hapësirë e vogël dhe bashkë me një komshi arritëm të largonim disa tulla. E nxorëm zvarrë nga rrënojat dhe e shpëtuam. Ishte një mrekulli që doli gjallë. Përveç rrënojave, ai u asfiksua edhe nga tymi që kishte mbushur dhomën. Më pas u shemb edhe soleta e atij kati dhe përfundoi mbi banesën tonë. Ishte një skenë apokaliptike, diçka që nuk e kisha imagjinuar kurrë se do ta shihja me sytë e mi. Babai na tha më vonë se po të mos kishim qenë aty në ato momente, sot vëllai nuk do të ishte gjallë. Kjo është e sigurt. Është shumë i traumatizuar. Është në një moshë delikate dhe ajo që ka përjetuar është jashtëzakonisht e rëndë.
Ndërsa vëllai u nxor nga banesa, tregon ai, babai ndodhej në një tjetër pjesë të apartamentit. Mami më tha se nuk mund ta shpëtonim dot babain. Gjithçka kishte shembur dhe hyrja nga ajo anë ishte e pamundur. Kishte rrënoja kudo. Ai ndodhej në ballkon. Gjatë shpërthimit dera e ballkonit i ra në kokë dhe e plagosi. Më pas tentoi të fikte zjarrin me një batanije të lagur, por pësoi djegie në duar. Në fund, për të shpëtuar jetën, u hodh nga ballkoni i katit të dytë.
Sipas tij, babai nuk largohej nga ndërtesa sepse mendonte se djali i tij ishte ende brenda. Ai u thoshte zjarrfikësve: “Kam djalin brenda”. Nuk e dinte që ne e kishim nxjerrë tashmë. Vetëm pasi e mori vesh pranoi të largohej.
Gjithashtu, 20-vjeçari vlerësoi reagimin e shpejtë të shërbimeve emergjente. Ambulancën dhe zjarrfikëset i mora vetë në telefon. Brenda 5 deri në 10 minutash ishin në vendngjarje. Dua t’i falënderoj sepse u treguan shumë të shpejtë dhe profesionistë. Manueli falënderoi gjithashtu punonjësit e Bashkisë së Elbasanit, të cilët sipas tij kanë qenë pranë familjeve të prekura që nga dita e parë e tragjedisë.
Ne për momentin jemi strehuar te të afërmit. Nuk dimë ende çfarë do të ndodhë më pas. Kemi humbur pothuajse gjithçka. Dëmi është kolosal për të gjitha familjet e pallatit. Sipas tij, si zgjidhje emergjente është ofruar sistemimi i përkohshëm në konvikte, ndërsa ende nuk ka një vendim përfundimtar për dëmshpërblimin dhe rindërtimin.
Në rrëfimin e tij, Manueli bëri thirrje për solidaritet me familjet e prekura nga tragjedia. Kush ka mundësi të japë sadopak ndihmë, do të ishte një mbështetje shumë e madhe për familjet që kanë humbur gjithçka. Nuk detyroj askënd, por çdo kontribut ka vlerë. Edhe një shpërndarje e thirrjes për ndihmë është shumë e rëndësishme për ne.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






