Transmetuar më 09-11-2026, 21:36

Një investigim i emisionit investigativ “Fiks Fare” ka zbuluar një skemë të paligjshme të tregtisë së vezëve femërore (ovociteve) në disa prej klinikave më të njohura të fertilitetit në Tiranë, ku dhurimi pretendohet se shpërblehet me një tarifë prej 1000 eurosh.

Skema u zbardh përmes rrjeteve sociale, ku në platformën TikTok funksiononte një faqe e dedikuar që reklamonte procesin dhe kërkonte të dhëna personale e mjekësore nga vajzat e interesuara. Komunikimi i mëtejshëm zhvillohej përmes aplikacionit Telegram, ku konfirmohej pagesa prej 1000 eurosh për individët me pasaportë shqiptare dhe se transaksioni kryhej ditën e ndërhyrjes nga koordinatorët e spitaleve.

Gjatë vëzhgimit, gazetarët e investigimit dokumentuan me zë dhe figurë se si funksiononte rrjeti në dy prej strukturave shëndetësore në kryeqytet:

Turkish International Hospital (në zonën e Bllokut): Koordinatorja e spitalit, e identifikuar si Lira, shpjegoi se vajza fillimisht duhet t’i nënshtrohet analizave mjekësore dhe një vizite gjinekologjike për të vlerësuar nëse është në kushtet e duhura për dhurim. Ajo konfirmoi se pagesa prej 1000 eurosh bëhet kesh nga spitali ditën e procedurës.

Përballja: Pasi gazetarët u ballafaquan me koordinatoren për tregtinë e vezëve kundrejt pagesës, ajo mohoi procedurën, u justifikua duke thënë “e kam pyetur vajzën si i beson TikTok” dhe më pas u mbyll në zyrë duke refuzuar të japë sqarime të mëtejshme.

Klinika gjinekologjike “Glozheni”: Gjatë vizitës mjekësore, mjeku Elko Glozheni pranoi ekzistencën e pagesës 1000 euro, theksoi se duhen ndjekur mjekimet e duhura dhe e drejtoi gazetaren në laborator për të kryer analizat e nevojshme paraprake.

Përballja: I pyetur nga redaksia e emisionit investigativ pas vëzhgimit, mjeku Elko Glozheni u shpreh se duhet të dalin jashtë më të mirë që të mos çohet, duke deklaruar: “Nuk shet njeri vezë”, pa dhënë asnjë sqarim se përse përmendej shuma prej 1000 eurosh gjatë konsulencës.

Në përgjigjen e saj zyrtare për “Fiks Fare”, Ministria e Shëndetësisë sqaron se sipas nenit 6, pika 1 të ligjit nr. 10454, datë 21.07.2011, “Për transplantimin e indeve, të qelizave dhe organeve me origjinë njerëzore për qëllim transplanti”, ndalohet rreptësisht çdo përfitim financiar. Për rrjedhojë, shit-blerja e ovociteve përbën një aktivitet të paligjshëm në Republikën e Shqipërisë, ndërkohë që kjo praktikë shfrytëzon shpesh vështirësitë financiare të vajzave të reja.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit