Transmetuar më 09-11-2026, 20:46

Rritja e prodhimit të ullirit këtë vit, e shoqëruar me kërkesën e ulët në tregun vendas dhe frenimin e eksporteve, ka shkaktuar një rënie të ndjeshme të çmimit të vajit të ullirit në pikat e grumbullimit, duke rrezikuar ndalimin e plotë të këtij procesi.

Në zonat e Belshit dhe Elbasanit, çmimi i vajit ekstra të virgjër ka zbritur deri në 500 lekë për litër, nga 700 lekë që ishte vitin e kaluar (një ulje prej 20% deri në 40%), ndërsa në Lushnjë luhatet mes 500 dhe 600 lekë për litër.

Grumbulluesit dhe eksportuesit, si Aldo Jolla, shpjegojnë se shkak kryesor i kësaj situate është mungesa e interesit nga grosistët italianë, të cilët e kërkojnë vajin rifuxho për eksport me rreth 2.5 euro për litër – një nivel i konsideruar i papërballueshëm për kostot e grumbullimit. Për më tepër, rënia e fuqisë blerëse në tregun e brendshëm ka bërë që disa operatorë të mos grumbullojnë asnjë sasi deri tani.

Kjo situatë ka krijuar pakënaqësi edhe te fermerët. Sipas drejtuesit të Federatës Bujqësore të Elbasanit, Agron Çakalli, për shkak të kostove të larta të vjeljes dhe shërbimeve, shumë prodhues po refuzojnë të shesin me këto çmime dhe po e mbajnë vajin në shtëpi. Ekspertët paralajmërojnë se ky ngërç mund të demotivojë fermerët për t’u kujdesur për ullishtet vitin e ardhshëm, duke bërë thirrje për ndërhyrje me subvencione shtetërore për të mbrojtur sektorin.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit