

PARIS — Qeveria franceze ka njoftuar një rritje prej 1.6% të pagës minimale (SMIC), e cila do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor pas protestave të vazhdueshme lidhur me fuqinë blerëse dhe koston e jetesës.
Me këtë vendim, paga minimale neto në Francë arrin në 1,502 euro në muaj, nga 1,477.93 euro që është aktualisht. “Lidhur me pagën minimale (SMIC), kemi vendosur dy gjëra, ta aplikojmë më 1 dhjetor rritjen automatike, e cila ishte parashikuar të hynte në fuqi më 1 janar dhe që kjo rritje të jetë 1.6%”, deklaroi ministri i Punës, Jean-Pierre Farandou, gjatë një konference për shtyp.
Nga ana e tij, kryeministri Sébastien Lecornu e cilësoi lëvizjen si rritjen e dytë më të madhe në 20 vitet e fundit, duke theksuar se masa është hartuar në mënyrë të tillë që të mos dëmtojë punësimin.
Megjithatë, vendimi ka ndeshur në kundërshtinë e sindikatave. Drejtuesja e CGT-së, Sophie Binet, e cilësoi rritjen si "thërrime" dhe deklaroi: “Ne nuk erdhëm këtu për të lypur lëmoshë”, duke paralajmëruar protesta të reja më 17 nëntor. Rritja vjen pesë muaj përpara zgjedhjeve presidenciale, në një kohë tensionesh sociale dhe pakënaqësie mbi koston e jetesës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






