

TIRANË — Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka lëshuar një paralajmërim urgjent për qytetarët lidhur me një skemë mashtrimi përmes mesazheve SMS, ku keqpërdoret emri i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR).
Sipas njoftimit zyrtar, mesazhet e rreme përmbajnë lidhje mashtruese ku qytetarëve u kërkohet të vendosin të dhënat e tyre personale ose bankare, duke u ushtruar presion me kërcënime për penalizime apo detyrime të papaguara rrugore. AKSK bën me dije se në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse janë marrë masat për adresimin e rastit dhe monitorimin e tentativave të ngjashme.
Autoriteti u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në linqet e dërguara, të mos ndajnë kode verifikimi apo të dhëna financiare, si dhe të verifikojnë çdo gjobë vetëm përmes kanaleve zyrtare. Gjithashtu rekomandohet bllokimi i menjëhershëm i numrave dërgues dhe raportimi i tyre. “Emri apo logoja e një institucioni nuk garantojnë vërtetësinë e mesazhit”, thekson AKSK, duke nëvizuar se presioni për të vepruar me ngut është tregues i pastër i një tentative mashtrimi.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






