Transmetuar më 09-11-2026, 17:33

TIRANË — Protestat e dhunshme dhe dëmtimi i subjekteve private pritet të ndikojnë në ngadalësimin e rritjes ekonomike gjatë tremujorit të fundit të vitit. Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë, deklaroi se pasojat e trazirave po ndihen drejtpërdrejt nga bizneset.

Deklarata erdhi në përgjigje të pyetjes së deputetit të Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, i cili kërkoi sqarime mbi uljen e parashikimit të rritjes ekonomike në 3.9% nga 4% që ishte një vit më parë. “Në këtë tremujor, për arsye të protestave të dhunshme, ne kemi pasur një efekt në ekonomi. Protestat qytetare nuk janë të dhunshme dhe nuk dëmtojnë biznesin privat. Për shkak të kësaj, ne do të ndiejmë një ecuri më të ngadaltë të ekonomisë, sepse kemi biznese të tëra të cilat po ndiejnë efektet e dhunës në protesta”, u përgjigj Ibrahimaj.

Gjatë seancës u diskutua edhe kërkesa e deputetit socialist Erion Braçe për rishikimin e formulës së indeksimit të pensioneve. Ibrahimaj u shpreh e gatshme për nisjen e një studimi mbi indeksimin e shkallëzuar për të mbështetur shtresat me të ardhura më të ulëta. “Unë personalisht mund të angazhohem që ta filloj një studim të tillë dhe të shohim pastaj se si është forma më e mirë për ta bërë këtë indeksim, mbase në mënyrë të shkallëzuar”, deklaroi ajo, duke konfirmuar gjithashtu monitorimin e tregut pas uljes së TVSH-së në 6% dhe zbatimit të taksës së qarkullimit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit