Transmetuar më 09-11-2026, 17:31

TIRANË — Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, i ka drejtuar një letër zyrtare Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku paralajmëron se gjendja shëndetësore e klientit të tij është kritike dhe mund të kërkojë ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale në këmbë.

Përmes shkresës, Ndreca denoncon vonesat burokratike dhe refuzimin e vënies në dispozicion të dokumentacionit mjekësor pas ekzaminimeve të kryera më 7 nëntor. “Konstatoj se përgjigjja juaj nuk i jep zgjidhje kërkesës konkrete për vënien në dispozicion të dokumentacionit mjekësor të krijuar nga institucioni juaj gjatë ekzaminimit të z. Erion Veliaj. Kërkesa ime ka të bëjë me dokumentacionin e klientit që përfaqësoj, për qëllime të drejtpërdrejta të mbrojtjes së shëndetit dhe interesave të tij ligjore”, shprehet Ndreca në letrën e tij.

Më tej, avokati thekson se aktet mjekësore dhe imazhet e radiologjisë kërkohen për konsultim urgjent me mjekë specialistë në Tiranë. “Sipas informacioneve të marra, gjendja shëndetësore e z. Veliaj mund të kërkojë ndërhyrje kirurgjikale. Çdo vonesë e mëtejshme e pajustifikuar në dhënien e dokumentacionit, nëse pengon trajtimin në kohë apo kontribuon në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të klientit tim, do të ngrejë çështjen e përgjegjësisë ligjore të institucionit dhe të zyrtarëve përgjegjës”, deklaroi Ndreca, duke ia përcjellë shkresën për dijeni edhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit