

Ekspozita Ndërkombëtare e Importit e Kinës (CIIE) është shndërruar në një platformë për promovimin e hapjes së nivelit të lartë, si edhe një produkt publik ndërkombëtar.
Edicioni i këtij viti i CIIE-së spikat për shumë elemente të rëndësishme: pjesëmarrja historike e 4 142 ndërmarrjeve nga 148 vende dhe rajone, numri rekord prej mbi 300 kompanish të listuara në "Fortune Global 500" ose lidere të sektorëve përkatës, pothuajse 200 ndërmarrje e organizata që marrin pjesë për nëntë vjet radhazi, hapësira më e madhe e ekspozimit nga kompanitë amerikane për tetë edicione me radhë, si dhe ekspozimi i më shumë se 480 produkteve për herë të parë në botë, në Azi ose në tregun kinez, duke shënuar edhe kjo një rekord të ri.
Në rrethanat globale, vlera dhe rëndësia e CIIE-së spikatin edhe më shumë. Sot bota po kalon ndryshime të thella e të papara në një shekull, globalizimi ekonomik përballet me pengesa, ndërsa pabarazitë në zhvillim mbeten tejet të theksuara.
Si ekonomia e dytë më e madhe në botë, Kina mbetet e palëkundur në ndjekjen e një strategjie hapjeje, të bazuar në përfitimet e ndërsjella nga të gjitha palët. “Raporti i hapjes globale 2026”, i publikuar gjatë edicionit të këtij viti të CIIE-së, tregon se treguesi i hapjes i Kinës është rritur me 28.18 % midis viteve 1990 dhe 2025, një nga nivelet më të larta të rritjes në botë.
Të dhënat tregojnë se, gjatë tetë edicioneve të kaluara, CIIE-ja ka tërhequr 27 000 ndërmarrje pjesëmarrëse nga më shumë se 180 vende dhe rajone, me një vlerë të porosive të synuara që i tejkalojnë 580 miliardë dollarët, duke i shndërruar vazhdimisht "produktet e ekspozuara në mallra që shiten në treg" dhe "ekspozuesit në investitorë në Kinë".
Nëntë vjet radhazi të "takimit në CIIE" dëshmojnë për rolin e dyfishtë të Kinës: si "fabrika e botës" dhe si "tregu i botës", si "supershitëse" dhe si "superblerëse". Tani Kina vijon të jetë tregu i dytë më i madh i importeve në botë për 17 vjet me radhë dhe partnerja kryesore tregtare për më shumë se 160 vende e rajone. Në tre tremujorët e parë të këtij viti importet e saj u rritën 22.3 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ky vit shënon 25-vjetorin e anëtarësimit të Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT). Niveli i përgjithshëm i tarifave të Kinës ka rënë tashmë në 7.3 %, një shifër që i afrohet nivelit mesatar të anëtarëve të zhvilluar të kësaj organizate. Që nga edicioni i parë, CIIE-ja ka lehtësuar pjesëmarrjen e vendeve më pak të zhvilluara, duke ofruar stimuj të ndryshëm, siç janë ndihma për ndërtimin e stendave dhe transportin e produkteve.
Këtë vit CIIE-ja ka përmirësuar më tej zonat për produktet nga Azia dhe Afrika, duke e rritur me 17 % hapësirën e ekspozimit falas që u vihet në dispozicion vendeve më pak të zhvilluara. Kjo siguron që ekonomitë në faza të ndryshme zhvillimi të kenë rastin të përfitojnë në mënyrë të barabartë nga mundësitë që ofron tregu i gjerë kinez.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






