

Tiranë, 9 nëntor 2026 – Transferimi i Erion Veliajt nga burgu ku vuante masën e sigurisë drejt institucionit të vuajtjes së dënimit në Fier është rikthyer në vëmendje gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Ligjeve.
Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, u pyet nga deputeti Erald Kapri lidhur me arsyet dhe procedurën e ndjekur për transferimin e ish-kryebashkiakut të Tiranës, i cili u krye rreth 10 ditë më parë dhe shkaktoi reagime politike.
Gjatë përgjigjes së saj, Bodo i sugjeroi deputetit që të paraqiste një kërkesë zyrtare për të marrë informacion të plotë mbi çështjen. Ajo theksoi se transferimi i të burgosurve është një procedurë që kryhet në bazë të kompetencave ligjore të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
Për të ilustruar numrin e këtyre procedurave, Bodo bëri të ditur se vetëm gjatë ditës së premte kishte firmosur 93 urdhra transferimi për të dënuar, për arsye të ndryshme të parashikuara nga ligji.
“Vetëm të premten kam firmosur 93 urdhra transferimi për arsye të caktuara që parashikon ligji. Çdo urdhër transferimi është kompetencë e autorizuar nga ligji për Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve”, deklaroi ajo para deputetëve.
Transferimi i Veliajt në Fier ishte shoqëruar më herët me pikëpyetje, pasi Drejtoria e Burgjeve e kishte cilësuar informacionin mbi këtë lëvizje si “sekret shtetëror”, pa dhënë hollësi të mëtejshme mbi arsyet e vendimit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






