

Tiranë, 9 nëntor 2026 – Përdorimi i katër autoboteve të ujit dhe dronëve gjatë protestave të fundit në kryeqytet është bërë objekt debati në Komisionin parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ku po diskutohej buxheti i Policisë së Shtetit për vitin 2027.
Deputeti Erald Kapri i kërkoi drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, të sqarojë se nga kanë ardhur pajisjet e reja të përdorura gjatë protestave dhe sa kanë kushtuar ato.
Kapri përmendi katër autobote të reja uji, dy të bardha dhe dy të zeza, si dhe përdorimin e dronëve, përmes të cilëve, sipas tij, janë hedhur bombola me gaz lotsjellës. Ai ngriti pikëpyetje edhe për mënyrën se si këto pajisje janë siguruar në një kohë kaq të shkurtër.
“Sa keni shpenzuar për blerjen e këtyre pajisjeve? Në kaq ditë ka qenë e vështirë të bëni tender, pra janë dhuruar nga dikush. Nga kush janë dhuruar, se tashmë janë në inventarin e Policisë së Shtetit?”, pyeti deputeti.
Në përgjigje, drejtori i Policisë deklaroi se për automjetet e reja nuk është përdorur asnjë fond nga buxheti i shtetit.
“Për automjetet e reja që posedon Policia e Shtetit është shpenzuar 0 lekë nga buxheti i shtetit, që të kenë rënduar mbi xhepat e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Hita.
I pyetur për origjinën e tyre, ai sqaroi se pajisjet janë marrë në përdorim dhe nuk janë dhuruar nga policitë partnere. Sipas tij, përdorimi i autoboteve, dronëve dhe pajisjeve të tjera speciale bëhet në përputhje me ligjet dhe vendimet e Këshillit të Ministrave.
Debati për ndërhyrjen e policisë gjatë protestave
Gjatë diskutimit, Kapri ngriti edhe pretendime për përdorimin e plumbave të gomës, ndërhyrjet ndaj protestuesve dhe shoqërimet që, sipas tij, janë konsideruar të paligjshme nga gjykatat.
Deputeti kërkoi të dinte nëse hetimet për plagosjen e protestuesve po shtrihen edhe në zinxhirin komandues të Policisë, si dhe kush kishte dhënë urdhrin për rrethimin e Kryeministrisë nga efektivë të armatosur të RENEA-s.
Ai kritikoi gjithashtu përdorimin e efektivëve të maskuar dhe automjeteve të paidentifikuara, duke iu referuar 62 rasteve të shoqërimeve që, sipas tij, janë konstatuar të paligjshme nga gjykatat.
Kapri e akuzoi Policinë se po cenon të drejtën kushtetuese për protestë dhe kërkoi respektimin e ligjit gjatë menaxhimit të tubimeve.
Nga ana tjetër, drejtori i Policisë, Skënder Hita, tha se efektivët janë përballur me dhunë gjatë protestave dhe paraqiti fotografi të punonjësve të plagosur, përfshirë raste me fraktura në këmbë dhe dëmtime në kokë.
“Që nga dita e parë e protestës, policia ka qenë në ruajtje të institucioneve dhe është gjendur nën një breshëri gurësh”, deklaroi Hita.
Në debat ndërhynë edhe deputetë të tjerë të mazhorancës dhe opozitës. Ndërsa Bledi Çuçi vlerësoi se sjellja e Policisë kishte qenë e balancuar dhe dënoi hedhjen e molotovëve, gurëve dhe sendeve të forta ndaj efektivëve, deputeti Çela shprehu respekt për punonjësit e policisë që zbatojnë ligjin, por kritikoi mënyrën e menaxhimit të protestave.
Diskutimet në komision u zhvilluan në kuadër të shqyrtimit të buxhetit të Policisë së Shtetit për vitin 2027.
Debati i plotë:
Erald Kapri – Nënvizuat 15 herë fjalën pajisje, duke evidentuar që policia do ketë makina të reja, pajisje të reja, madje shotgun të rinj dhe pistoleta elektrike.
Në menaxhimin e protestës është vënë re shtimi i disa pajisjeve, 4 bote të reja uji, 2 të bardha e 2 të zeza që hedhin ujin në lartësi, përdorimi i dronëve ku u hodhën dhe bombola me gaz lotsjellës, 2 dronë ranë në tokë. Sa keni shpenzuar për blerjen e këtyre pajisjeve? Në kaq ditë ka qenë e vështirë të bëni tender, pra janë dhuruar nga dikush. Nga kush janë dhuruar, se tashmë janë në inventarin e Policisë së Shtetit?
Cilat janë hapat konkretë për sulmin me plumb gome? Është pranuar se ka një hetim, a po shkon në zinxhirin e komandës, për thyerjen e këmbës së Ballës dhe Skanës që u përplas në tokë?
Ku jeni bazuar ju që pasi tentoni të neutralizoni elementë të dhunshëm në protestë, policia sulet?
Keni angazhuar repartet si Shqiponja të maskuar, me makina të paidentifikuara dhe tani kemi vendime gjykatash që kanë thënë që për 62 raste kemi shoqërime të paligjshme.
Kush e dha urdhrin që reparti RENEA rrethoi Kryeministrinë i armatosur? Nuk ka ndodhur kurrë kjo. E dhatë ju apo u kërkua nga kryeministri?
Në rastin më të parë që vendosët një gjobë 500 mijë lekë të reja, ia vendosët një të mituri?
Është lëshuar policia si këmishëzinjtë e Musolinit që rreh njerëzit rrugëve.
Xhaçka – Ruani qetësinë e bëni pyetje.
Kapri – Ku e di ti që s’kam mbajtur qëndrim për dhunën?
Arkend Balla – Po promovoni dhunën ndaj Policisë së Shtetit.
Kapri – A jeni koshientë që keni shkatërruar të drejtën kushtetuese për të protestuar?
Ju bëj thirrje që t’i thërrisni arsyes dhe t’i drejtoheni zbatimit të ligjit dhe Kushtetutës, nuk jeni drejtor i policisë së Edi Ramës.
Arkend Balla – Ndryshe nga Kapri që e shikon policinë si një armike, dua të bëj një pyetje. A është planifikuar ndërtimi i ndonjë godine, se dhe komisariatit dhe drejtorisë së qarkut ia kanë një godinë? A është parashikuar që të kenë godina veç e veç?
Çelaj – Duke parë buxhetin e rritur, në vijim të pyetjeve të kolegut Kapri, do preferoja ta quaja buxhet i rritur si rezultat i presionit të protestuesve. Ndjej respekt për çdo punonjës policie që zbaton ligjin.
Bledi Çuçi – Besoj se jemi në kushtet më të balancuara të sjelljes së policisë. E mira është që dhe ju bini dakord që molotovi, gurët, hekurat e lëshuara mbi policinë janë të dënueshme.
Kam një pyetje për trajtimin ushqimor të punonjësve të policisë, çfarë formule do përdoret këtë vit?
Vitet e tjera u kemi dhënë nga një kartë për këto shpenzime, pastaj e ndryshuam kur alokuam shumën e caktuar. Dua një informacion për këtë formulë që do ndiqet në vitin 2027 lidhur me trajtimin ushqimor të punonjësve të policisë.
Skënder Hita – Për automjetet e reja që posedon Policia e Shtetit është shpenzuar 0 lekë nga buxheti i shtetit që të kenë rënduar mbi xhepat e qytetarëve shqiptarë.
Përderisa nuk është harxhuar asnjë lek dhe jemi duke diskutuar për buxhetin, mendoj që nuk ka asnjë vend për të diskutuar për këtë pjesë. Policia e Shtetit përdor të gjitha pajisjet speciale që ka në përdorim në bazë të ligjeve dhe VKM-ve, duke filluar që nga autobotet, dronët dhe pushkët që përdor gjatë protestave.
Kapri – Nga kanë ardhur?
Skënder Hita – Ato janë marrë në përdorim dhe nuk janë të dhuruara nga policitë partnere. Në këtë kontekst, për sa i përket edhe dëmtimit të protestuesve dhe punonjësve të policisë, nuk do dëshiroja që të kishte qoftë dhe një të dëmtuar të vetëm, por fakti është që nga dita e parë e protestës, policia ka qenë në ruajtje të institucioneve, është gjendur nën një breshëri gurësh dhe unë këtu po ju tregoj disa foto që ka policë të dëmtuar dhe shumë rëndë, edhe policë me këmbë të thyer, edhe policë me kafkë të thyer.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






