Transmetuar më 09-11-2026, 14:32

Tiranë, 9 nëntor 2026 – Një skemë e re tarifimi për përdorimin e rrugëve kombëtare pritet të shqyrtohet në Kuvendin e Shqipërisë. Bëhet fjalë për vendosjen e sistemit të vinjetës, një tarifë që do të paguhet nga automjetet që qarkullojnë në rrjetin rrugor kombëtar.

Nisma është propozuar përmes një projektligji nga deputeti i Partisë Socialiste, Andi Qose, dhe parashikon ndryshimin e mënyrës së financimit të mirëmbajtjes dhe përdorimit të infrastrukturës rrugore.

Sipas projektit, nga 1 janari 2027 synohet të hiqet taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin, aktualisht në masën 27 lekë për litër, e cila do të zëvendësohet me tarifën e vinjetës.

Kush do të paguajë vinjetën?

Detyrimi i ri parashikohet të zbatohet për automjetet e lehta dhe autobusët. Për mjetet e rënda të transportit të mallrave, skema do të jetë në fuqi deri më 31 dhjetor 2029.

Për automjetet e regjistruara në Shqipëri, pagesa vjetore e vinjetës parashikohet të përfshihet në taksën vjetore të mjeteve të përdorura.

Ndërsa automjetet me targa të huaja do të duhet ta paguajnë tarifën në pikat e kalimit kufitar ose përmes platformave online.

Vlefshmëria nga një ditë deri në një vit

Projektligji parashikon disa kategori vinjetash, në varësi të periudhës së përdorimit, duke filluar nga një ditë deri në 365 ditë.

Për secilën kategori janë përcaktuar kufij maksimalë tarifimi, të përllogaritur në raport me çmimin e vinjetës vjetore.

Nëse miratohet, skema e re do të ndryshojë mënyrën se si qytetarët dhe transportuesit kontribuojnë financiarisht për përdorimin e rrugëve kombëtare. Ndërkohë, vlerat përfundimtare të tarifave do të varen nga përcaktimet që do të miratohen në kuadër të procedurave ligjore.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit