Transmetuar më 09-11-2026, 13:40

TIRANË — Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Çështjet e Brendshme, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i ka drejtuar një sërë pyetjesh drejtuesve të sistemit të burgjeve lidhur me transferimin e Erion Veliajt në burgun e Fierit, procedurat e takimeve me partneret të të dënuarve me rrezikshmëri të lartë dhe pretendimet për kushte favorizuese në qeli.

Lidhur me transferimin e Veliajt në Fier, Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi: “Ju mund të drejtoni kërkesë zyrtare dhe do merrni përgjigje për pikat tuaja në mënyrë shteruese”.

Ndërkohë, pyetjet mbi takimet e veçanta dhe pretendimet për ambiente me kushte ekstra në burgun e Peqinit iu kaluan Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta.

Sa u përket takimeve, Rajta u shpreh: “Ka pasur takime, jo te dhomat speciale, por të dhomat e takimit, por dhe aty nuk duhej ta fusnin… kanë qenë i burgosuri dhe partnerja e tij që e ka dhe sot. Ligji ka hapësira, dhe mundohen t’i shfrytëzojnë”.

Sa i përket pamjeve të qelive me pajisje shtesë, kreu i Policisë së Burgjeve sqaroi: “Tani IA është problem i madh, ka pasur ca po jo të gjitha, ca janë të rregulluara, ka pasur disa pajisje, por nuk ka pasur pajisje të ndaluara por sende të tepërta. Për krimet e rënda të dënuara me mbi 15 vjet, edhe bota në një farë mënyre e lejon, dhe thotë që ka të drejtë ta personalizojë qelinë sepse do kalojë shumë vite aty, edhe pse ne nuk jemi në këto kushte….. Por si reagoi policia? Merrni dhe këtë vlerë. A ka fuqi që kjo polici të reagojë? Reagoi. Dhe ajo nuk ekziston më, kur ka dalë në media, ajo nuk ka qenë, por ka dalë më vonë në media. Ju garantoj që të gjithë vuajnë dënimin ashtu siç ka marrë vendim gjykata, dhe pavarësisht se mund të shikoni ndonjë send të tepërt apo të ndaluar, burgu është burg… se mos marrin vesh këta të rinjtë dhe thonë është gallatë atje, jo”.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit