

TIRANË — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe familjarët e tij për përvetësimin e paligjshëm të 221 mijë metrave katrorë tokë publike në zonën e Kanionit të Gjipesë për ndërtimin e një hoteli.
Në një deklaratë për mediat, Berisha pretendoi se sipërfaqja e tokës ka qenë gjithmonë pronë publike dhe se nuk ekziston asnjë dokumentacion kadastral apo arkivor që të provojë pronësinë private mbi të. “Aty nxin me të gjithë shëmtinë e tij ndërtimi i hotelit ‘Edi Rama’ në Kanionin e Gjipesë, kanion që në shekuj ka qenë pronë publike. Nuk dispononte asnjë dokument kadastral. As të Perandorisë, të Mbretërisë, as të diktaturës”, u shpreh kreu i PD-së, duke përmendur gjithashtu vëllain e kryeministrit, Olsi Rama.
Gjatë konferencës, Berisha u ndal edhe te njoftimi i Prokurorisë së Posaçme për nisjen e hetimeve mbi dosjen “Albanian Files”. Kreu i demokratëve u shpreh krejtësisht skeptik lidhur me mundësinë e hetimit dhe penalizimit të kryeministrit nga organet e drejtësisë.
“Të mendosh se SPAK-u apo të besosh se SPAK-u do të penalizojë Edi Ramën është njëlloj sikur të mendosh se veshin tënd mund ta shohësh pa pasqyrë”, deklaroi Berisha.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






