

VLORË — Drejtori i Ujësjellës-Kanalizime Rajoni Vlorë, Klevis Kaso, ka reaguar publikisht pas raportimeve për paraqitjen e disa fëmijëve në spital me simptoma të të vjellave dhe diarresë.
Përmes një deklarate, Kaso ka garantuar se uji i furnizuar nga rrjeti që administrohet nga institucioni është i pastër dhe i sigurt për konsum. “Edhe fëmijët e mi rriten në këtë qytet. Ata jetojnë këtu, konsumojnë ujin e këtij qyteti dhe kjo është arsyeja pse çdo shqetësim i qytetarëve më prek mua personalisht”, deklaroi Kaso, duke shtuar se analizat fiziko-kimike të marra në 22 pikat e monitorimit në qytet nuk kanë evidentuar ndotje apo prani të amoniakut dhe nitriteve.
Kreu i Ujësjellësit sqaroi se rastet e izoluara të problematikave mund të vijnë si pasojë e ndërhyrjeve nga subjekte të ndryshme në rrjet, ndërsa theksoi se vijon puna 24/7 për investimin në rrjetin e ri të ujësjellësit për t’u dhënë zgjidhje problemeve të trashëguara.
Reagimi i plotë:
Në këtë moment të ndjeshëm, kur shqetësimi i prindërve është mëse i kuptueshëm dhe mbi të gjitha bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve, dua të flas me përgjegjësi dhe transparencë.
Edhe fëmijët e mi rriten në këtë qytet. Ata jetojnë këtu, konsumojnë ujin e këtij qyteti dhe kjo është arsyeja pse çdo shqetësim i qytetarëve më prek mua personalisht.
Dua të jem i qartë: Uji që furnizohet përmes sistemit të administruar nga Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë është i pastër dhe i sigurt për konsum, bazuar në kontrollet dhe përgjegjësinë tonë për depot, linjat e transmetimit dhe rrjetin që ne administrojmë.
Sigurisht, mund të ketë raste të izoluara, si pasojë e ndërhyrjeve në rrjet nga subjekte të ndryshme që operojnë në qytet. Por për çdo rast të sinjalizuar, reagojmë menjëherë dhe marrim masat përkatëse për zgjidhjen e tij në kohë rekord.
Paralelisht, po punojmë pa ndërprerje, 24 orë në 7 ditë të javës, për investimin madhor të rrjetit të ri të ujësjellësit, një ndërhyrje që synon t’u japë zgjidhje problematikave të ndjeshme të trashëguara ndër vite.
Në momente të tilla, qetësia, përgjegjësia dhe verifikimi i fakteve janë thelbësore. E vërteta duhet të dalë përmes analizave dhe verifikimeve institucionale, jo përmes hamendësimeve.
Nuk ndalemi. Do të vazhdojmë të punojmë me përgjegjësi, sepse pas çdo pune që bëj/bëjmë janë familjet e këtij qyteti, familja ime, fëmijët e mi dhe fëmijët e çdo qytetari që meriton të jetojë i sigurt.
*POST SCRIPTUM
Bazuar në analizat fiziko-kimike të mostrave të ujit të marra në të 22 pikat monitoruese të qytetit, rezultatet nuk kanë evidentuar ndotje fiziko-kimike, përfshirë praninë e amoniakut dhe nitriteve.
Për sa i përket parametrave mikrobiologjikë, komunikimi im (ynë) dhe transparenca ndaj qytetarëve është e domosdoshme, ndaj po bëj publike rezultatet fiziko-kimike të disponueshme deri në këto momente.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






