

TIRANË — Miratimi i hartës së re territoriale ka nxjerrë në pah pikëpyetje mbi administrimin e fondeve publike, ndërsa projektbuxheti i vitit 2027 vijon të shpërndajë financime sipas ndarjes së vjetër administrative.
Në total, pushteti vendor parashikohet të administrojë 114.6 miliardë lekë, nga të cilat 58.6 miliardë sigurohen nga të ardhurat e vetë njësive dhe 56 miliardë nga buxheti i shtetit. Pjesë e këtij alokimi janë rreth 6 miliardë lekë të parashikuara për 15 bashki që do të humbasin statusin e tyre si njësi administrative më vete, mes të cilave Maliqi me 797 milionë lekë, Divjaka me 575 milionë, Përrenjasi me 486 milionë dhe Cërriku me 452 milionë lekë.
Alokimi i fondeve synon të garantojë vazhdimësinë e shërbimeve publike deri në ekzekutimin e plotë të reformës. Megjithatë, ekspertët ngrenë shqetësime lidhur me menaxhimin e parave, transferimin e kontratave shumëvjeçare, tenderët e hapur dhe mbulimin e detyrimeve financiare ndaj operatorëve privatë gjatë fazës tranzitore te bashkitë pritëse.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, e ka cilësuar vitin 2027 si periudhë tranzicioni për pushtetin vendor, duke nëvizuar nevojën për koordinim administrativ. Ndërkohë, mbetet për t’u përcaktuar kuadri ligjor dhe mekanizmat konkretë për kontrollin e shpenzimeve dhe kryerjen e bilanceve përfundimtare financiare përpara shkrirjes zyrtare të këtyre njësive.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






