

TIRANË — Strukturat hetimore të Policisë së Tiranës kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Gjuetari i Bankave”, duke bërë të mundur zbardhjen e dy vjedhjeve me armë zjarri të kryera në filiale bankare të nivelit të dytë.
Në pranga ka rënë shtetasi Robert Duka (alias Albert Duka), 50 vjeç, i dyshuar si autor i grabitjeve të datës 2 qershor 2026 dhe 2 nëntor 2026. Identifikimi i tij u arrit falë përdorimit të sistemeve teknologjike për identifikimin e personave të maskuar dhe analizimit të veshjeve të përdorura gjatë ngjarjeve.
Gjatë kontrolleve, shërbimet e policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale 8.200 euro, veshje të përdorura gjatë kryerjes së veprave penale dhe dy aparate celulare, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera me metoda speciale, nga strukturat hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, u finalizua operacioni policor i koduar “Gjuetari i Bankave”.
Në kuadër të këtij operacioni u identifikua dhe u ndalua shtetasi R. D., alias A. D., 50 vjeç, i dyshuar si autor i dy vjedhjeve nën kërcënimin e armës së zjarrit, të kryera më datë 02.06.2026 dhe 02.11.2026, në dy filiale bankare në Tiranë. Identifikimi i tij u arrit falë punës profesionale hetimore, përdorimit të sistemeve teknologjike për identifikimin e personave pavarësisht maskimit, si dhe analizimit të veshjeve të përdorura gjatë vjedhjeve.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan ; – 8 200 euro, – Veshje të përdorura gjatë kryerjes së veprave penale – 2 aparate celularë. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






